Mbi 3 mijë masa administrative janë vendosur gjatë 48 orëve të fundit në Tiranë, në kuadër të kontrolleve të zhvilluara në akset kryesore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, gjatë kontrolleve janë verifikuar 131 automjete dhe 213 persona.

Pesë persona, së bashku me automjetet e tyre, janë shoqëruar në ambientet e policisë për verifikime të mëtejshme, ndërsa shtatë persona janë arrestuar ose proceduar për drejtim automjeti në gjendje të dehur, pa leje drejtimi apo për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit.

Në total janë vendosur 3012 masa administrative. Shkeljet e konstatuara përfshijnë tejkalimin e shpejtësisë, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, mosvendosjen e rripit të sigurimit, drejtimin nën efektin e alkoolit, xhamat e errësuar jashtë normave të lejuara, parakalimet e gabuara dhe mosdhënien e përparësisë.

Gjatë kontrolleve janë bllokuar gjithashtu 34 automjete për shkelje të ndryshme dhe janë tërhequr nëntë leje qarkullimi.

Kontrollet janë përqendruar edhe te automjetet luksoze dhe të blinduara, mjetet me xhama të errësuar tej normave të lejuara dhe ato me modifikime që shkaktojnë zhurmë, si dhe te rastet e dyshuara për armëmbajtje pa leje, lëndë narkotike apo persona në kërkim.