Një udhëtim familjar në Itali është kthyer në tragjedi, pasi prindërit kanë udhëtuar për rreth 100 kilometra me djalin e tyre 31-vjeçar të vdekur në sediljen e pasme të makinës, pa e kuptuar se ai kishte ndërruar jetë.

Ngjarja ndodhi këtë të diel në autostradën A21, në zonën e Pavias. Në makinë ndodheshin babai, i cili drejtonte automjetin, nëna në sediljen e pasagjerit dhe djali i tyre në pjesën e pasme. 31-vjeçari dukej sikur po flinte.

Prindërit tentuan disa herë ta zgjonin, por ai nuk reagonte. Babai ndaloi më pas në një zonë pushimi dhe vetëm atëherë familjarët kuptuan se djali nuk po përgjigjej dhe dukej se kishte humbur ndjenjat.

Rreth orës 07:30 u njoftuan urgjenca mjekësore 118. Ekipet mbërritën brenda pak minutash, por nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar 31-vjeçarin, duke konstatuar vdekjen e tij.

Sipas dëshmisë së prindërve, djali kishte folur për herë të fundit rreth 100 kilometra më herët. Familjarët u kanë thënë edhe mjekëve se i riu kishte pasur probleme të lehta me zemrën.

Autoritetet po vijojnë verifikimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjes, ndërsa për momentin dyshohet se 31-vjeçari është goditur nga një sëmundje e papritur gjatë udhëtimit.