Irani po përgatitej për një raund të ri përshkallëzimi ushtarak me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndërsa në publik vijonte negociatat për uljen e tensioneve.  Këto janë përfundimet e një raportimi të “Wall Street Journal”, sipas të cilit udhëheqja iraniane e shihte marrëveshjen e arritur në qershor jo si fundin e konfliktit, por si një periudhë për të riorganizuar dhe forcuar kapacitetet ushtarake.

Sipas gazetës amerikane, pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes Uashingtonit dhe Teheranit, figura të vijës së ashpër në udhëheqjen iraniane vendosën të përgatiteshin për një përballje të ardhshme me SHBA-në dhe Izraelin.

Raportimi thotë se Irani ndërmori ndryshime në strukturën e komandës ushtarake, duke i dhënë më shumë kompetenca Gardës Revolucionare Islamike. Në pozicione të rëndësishme u emëruan gjithashtu komandantë veteranë, ndërsa Teherani përshpejtoi prodhimin e raketave dhe dronëve.

Sipas burimeve të cituara nga “Wall Street Journal”, qëllimi ishte që Irani të ishte më i përgatitur për një konflikt të zgjatur dhe të rriste koston që Shtetet e Bashkuara do të duhej të përballonin në rast të një përshkallëzimi të ri.

Marrëveshja e qershorit nuk vendoste kufizime të reja mbi arsenalin iranian të raketave dhe dronëve apo mbi lidhjet e Teheranit me grupet e armatosura aleate në rajon.

Sipas raportimit, strategjia iraniane përfshinte edhe përdorimin e ndikimit mbi Ngushticën e Hormuzit si mjet presioni ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Teherani ka përdorur kontrollin dhe kërcënimin ndaj trafikut detar në këtë korridor strategjik për të rritur presionin ekonomik dhe politik. Ndërkohë, grupet e mbështetura nga Irani, përfshirë Huthit në Jemen, kanë zgjeruar aktivitetin në Detin e Kuq.

Sipas materialit të publikuar nga “Wall Street Journal”, shërbimet arabe të inteligjencës kishin mbledhur të dhëna mbi koordinimin e Iranit me grupet dhe forcat aleate në Irak, Jemen dhe pjesë të tjera të rajonit.

Në këtë kuadër, zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar vendet e Gjirit, përfshirë Kuvajtin, se Irani mund të përgatitej për sulme ndaj objektivave që i konsideron “territor armik”.