Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar shtyrjen me tre ditë të vendosjes së tarifave të reja prej 50% ndaj një game të gjerë mallrash kanadeze, ndërsa Uashingtoni dhe Otava po përpiqen të finalizojnë një marrëveshje tregtare.

Trump deklaroi në një postim në rrjetet sociale se ka pezulluar për tre ditë tarifat 50% ndaj Kanadasë, të cilat pritej të hynin në fuqi mëngjesin e së mërkurës. Sipas tij, vendimi është marrë pasi ‘të dyja palët kanë arritur një marrëveshje në parim, e cila mbetet për t’u finalizuar përmes dokumenteve përkatëse’.

Njoftimi i presidentit amerikan erdhi më pak se dy orë përpara se tarifa prej 50% të aplikohej ndaj afro 20 miliardë dollarëve mallra kanadeze.

SHBA dhe Kanadaja kanë qenë në një ngërç për disa çështje tregtare, përfshirë tarifat amerikane ndaj automjeteve dhe vendimin e disa provincave kanadeze për të ndaluar shitjen e pijeve alkoolike amerikane.

Trump dhe kryeministri kanadez Mark Carney kanë zhvilluar dy biseda telefonike gjatë kësaj jave, ndërsa negociatorët e të dyja vendeve kanë zhvilluar bisedime intensive që prej korrikut. Presidenti amerikan kishte vendosur 19 gushtin si afatin për vendosjen e tarifës së re.