Kancelari gjerman Friedrich Merz dënon deklaratat e Ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare se Tel Avivi duhet të vrasë 30 deri në 40 persona çdo natë në Gaza.

“Kancelari dënon fuqimisht thirrjet çnjerëzore të bëra nga Ministri (Itamar) Ben Gvir, të cilat shkelin ligjin ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, duke theksuar se deklaratat e ministrit izraelit janë të papranueshme.

Edhe ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot dënoi ashpër deklaratat e Ben Gvir, duke i quajtur komentet e tij “të patolerueshme dhe çnjerëzore”.

Ndërkohë, Gjermania dënoi edhe planet izraelite për të ndërtuar mbi 1,000 njësi banimi në të ashtuquajturën zonë E-1 të Bregut Perëndimor, duke thënë se kjo rrezikon perspektivën për një zgjidhje me dy shtete.

“Mesazhi ynë është i qartë: nuk duhet të ketë hapa të mëtejshëm drejt aneksimit në Bregun Perëndimor. Asnjë masë formale, asnjë masë politike, strukturore apo të tjera, ndikimi i të cilave po çon gjithnjë e më shumë dhe dukshëm drejt aneksimit. Ato bien ndesh me një zgjidhje me dy shtete”, pohoi Hille.

Zhvillimi i këtij korridori do ta ndante në mënyrë efektive Bregun Perëndimor në dy pjesë, duke dëmtuar shpresat për një shtet të qëndrueshëm palestinez në territor.