Çmimet e karburanteve janë rritur sërish në Shqipëri, me naftën që ka arritur në 219 lekë për litër, nga 215 lekë që ishte më parë, duke shënuar një rritje prej 4 lekësh. Më e ndjeshme ka qenë rritja e benzinës, e cila është shtrenjtuar me 7 lekë, nga 198 në 205 lekë për litër.

Rritja në tregun vendas vjen në një moment kur çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare janë rritur me afro 3% gjatë 24 orëve. Nafta Platts, e cila shërben si një nga bazat për përllogaritjen e kostove të importit dhe çmimeve në tregun shqiptar, tregtohet me 1,450 dollarë për ton.

Importuesit vendas paralajmërojnë se presionet mbi çmimet mund të shtohen nëse konflikti në Lindjen e Mesme vijon të përshkallëzohet. Sipas tyre, në një situatë të tillë, një nga masat që mund të frenonte rritjen e çmimeve në pompa do të ishte ulja e barrës fiskale mbi naftën.

Në tregjet globale, vëmendja vijon të jetë e përqendruar te Ngushtica e Hormuzit, një prej pikave më strategjike për furnizimin energjetik global. Përpara nisjes së luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, përmes kësaj ngushtice kalonte rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.

Bllokimi i Hormuzit ose një përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit mund të shtojë ndjeshëm rrezikun në tregjet e naftës. Analistët nuk përjashtojnë që çmimi i Platts të afrohet deri në 2,000 dollarë për ton në një skenar të përkeqësimit të situatës.

Edhe rritja e Brent mbi 91 dollarë për fuçi sinjalizon se tregtarët po përfshijnë në çmime një rrezik më të lartë për ndërprerjen e furnizimeve nga Lindja e Mesme.