Gazetari dhe publicisti Arjan Konomi është përplasur me truprojat dhe forcat e policisë që shoqëronin kryeministrin Edi Rama në Vuno.
Videon e ka publikuar edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili shprehet se e dënon me forcë arrogancën dhe dhunën hakmarrëse ndaj gazetarit dhe publicistit të njohur Arjan Konomi nga Edi dhe Linda Rama.
Ndërkohë në video vetë Arjan Konomi ka rrëfyer sesi ka ndodhur i gjithë incidenti, që i kushtoi atij shoqërimin në polici për disa orë.
Sipas tij, shkak i përplasjes me Ramën, bashkëshorten e tij dhe truprojat ka qenë një debat për parkimin e makinave.
Konomi thotë se nisi të filmonte me telefon dhe pyeti efektivët e policisë se përse nuk po gjobitej edhe automjeti i eskortës së kryeministrit.
Sipas rrëfimit të tij, më pas kryeministri Rama e thirri dhe i kërkoi të ulej, ndërsa Konomi thotë se i shpjegoi shqetësimin e tij lidhur me parkimin dhe gjobat e vendosura ndaj banorëve të Vunoit.
“Sapo kam ndalë nga biruca e policisë së Himarës, pas një përplasje, përballje me kryeministrin Rama këtu në fshatin Vuno. Gjithë Vunoi u zgjua sot me gjoba për makinat. Kjo shkaktoi edhe një farë acarimi me policinë e shtetit dhe banorëve të Vunoit. Më vonë, pas orës 12:00, dola për të mbledhur fiq dhe, kur u ktheva, pashë familjen e kryeministrit dhe eskortën e tij. E gjithë eskorta ishte parkuar në zonën ku ndalohej parkimi dhe policia rrinte aty. Nisa të bëja një video dhe i thashë policisë: Pse nuk e gjobitni edhe kryeministrin, siç keni gjobitur Vunoin para pak orësh? Në atë moment kryeministri më thirri dhe u afrova. Më tha: ‘Ulu’. I thashë: ‘Si do t’ia bëjmë ne për parkimin? Pse nuk bëni një parkim, pse duhet të gjobiten për parkimin. I thashë ky është shqetësimi im’. Nuk përdora fjalë ofenduese, ndërkohë që ai më ftoi të ulesha, por nuk pati kohë, sepse zonja Linda Rama, me një arrogancë dhe histerizëm, më tha ta lija të qetë”, tregon ai.
Konomi pretendon se më pas pati një përplasje verbale me Linda Ramën. Ai e përshkruan reagimin e saj si të ashpër dhe thotë se, pasi i ofroi disa fiq, ajo iu përgjigj me një shprehje fyese. Më tej, Konomi pretendon se disa pjesëtarë të sigurisë ndërhynë, i morën telefonin dhe e shoqëruan me një automjet policie drejt Komisariatit të Himarës.
“Kjo shkencëtarja e midhjes dhe e peshkut, si një nepërkë, m’u hodh në fyt, aq sa tronditi edhe djalin e saj me reagimin që pati.
Unë mbeta dhe i thashë: ‘Po të jap disa fiq’. Por ajo m’u kthye duke më thënë: ‘E di ti se ku t’i fus ato fiq?’
Në një moment mendova shyqyr që kisha mbledhur fiq, që janë të butë; imagjinoni sikur të kisha mbledhur dardha. Kur po mendoja këtë gjë, më hidhen nja katër bodyguardë, më rrëmbejnë telefonin, më ngrenë peshë. Ndërsa Linda bërtiste në anën tjetër, në mes të fshatit. Videot m’i fshinë nga telefoni dhe më shoqëruan me një furgon policie, me ‘Shqiponjat’, në Komisariatin e Himarës”, tha Konomi.





