Irani thotë se ka një plan dyvjeçar për të përballuar zgjerimin e sanksioneve amerikane, pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan një ofensivë të re ekonomike ndaj Teheranit dhe kërcënuan se do të izolojnë edhe vendet që vazhdojnë të kenë marrëdhënie financiare me Iranin.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, e përshkroi masën si “ofensivën më të madhe financiare të ndërmarrë ndonjëherë”, ndërsa ministri iranian i Ekonomisë, Ali Madanizadeh, deklaroi se vendi i tij është plotësisht i përgatitur për përballjen me sanksionet.

“Qeveria është dhe ka qenë e gatshme dhe ka një plan dyvjeçar për t’i menaxhuar këto ngjarje”, tha Madanizadeh për televizionin shtetëror iranian. Ai shtoi se Teherani ka “mjetet e veta” dhe di se “si ta luajë lojën”.

Sipas ministrit iranian, as Kina dhe as Rusia nuk i kanë pranuar masat amerikane, ndërsa parashikoi se edhe vende të tjera do t’u rezistojnë sanksioneve të reja.