Autoritetet belge kanë zbuluar një trup të dytë në Onhaye, një ditë pasi në të njëjtën zonë u gjet trupi i një fëmije. Dy trupat dyshohet se u përkasin 5-vjeçarit Tymeo Brigou dhe babait të tij, Bryan Brigou, 29 vjeç, të zhdukur që prej 27 qershorit.
Trupi i dytë u gjet të martën në mëngjes, rreth dhjetë metra larg trupit të fëmijës, në një zonë të pyllëzuar pranë autostradës N97 ndërsa të dy trupat ishin në një fazë të avancuar dekompozimi.
Prokurori i Namurit, Etienne Gaublomme, deklaroi gjatë një konference për shtyp se trupi i dytë është “me shumë mundësi” ai i Bryan Brigou, por identifikimi zyrtar ende nuk është përfunduar.
Sipas autoriteteve, elementët e gjetur në vendngjarje, përfshirë veshjet dhe të dhëna të tjera përshkruese, mbështesin dyshimin se trupi i parë i përket vogëlushit Tymeo.
Babë e bir ishin parë për herë të fundit më 27 qershor në Onhaye. Një ditë më pas, makina e Bryan Brigou u gjet e braktisur pranë një fushe futbolli, rreth dy kilometra në vijë ajrore nga vendi ku u zbuluan trupat.
Autoritetet bëjnë të ditur se zona ishte kontrolluar më herët, përfshirë edhe nga ajri, por një dëshmi e re e marrë të hënën ndihmoi hetuesit të përqendronin kërkimet në një tjetër sektor.
Autopsitë e dy trupave pritet të përcaktojnë identitetin, kohën dhe shkaqet e vdekjes. Prokuroria thekson se në këtë fazë asnjë pistë nuk është përjashtuar, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse bëhet fjalë për vrasje, vetëvrasje apo një tjetër skenar.





