Një foshnjë e porsalindur ka humbur jetën në Sheffield të Anglisë, ndërsa policia ka nisur një hetim për vrasje dhe ka arrestuar shtatë persona. Policia u thirr rreth orës 05:58 të së dielës në një banesë në Sheffield, pas shqetësimeve për sigurinë e foshnjës. Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës, e porsalindura ndërroi jetë në vendngjarje.

Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e sakta të vdekjes së foshnjës. Autoritetet kanë kërkuar nga publiku që të mos përhapë spekulime, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur atë që ka ndodhur, shkruan The Sun. Në kuadër të hetimit, shtatë persona janë arrestuar me dyshimin për vrasje. Të gjithë ndodhen aktualisht në paraburgim policor, ndërsa hetuesit po punojnë edhe për përcaktimin e moshës së disa prej të arrestuarve.

Kryeinspektorja detektive Emma Knight tha se një ekip i posaçëm detektivësh dhe oficerësh po punon për të zbardhur ngjarjen dhe për të vendosur drejtësinë për foshnjën.

“Hetimi ynë është në fazat e hershme”, deklaroi ajo, duke përsëritur apelin për shmangien e spekulimeve mbi rrethanat e tragjedisë.