Nga Fatmir LAZO

Pas kaq shumë ditësh tensioni, pritjeje dhe pasigurie që nga hyrja në ambasadë, më në fund erdhi lajmi që kishim pritur prej kohësh : do të niseshim atë mbrëmje. Na thanë të përgatiteshim, por në të vërtetë nuk kishim çfarë të përgatitnim. Nuk kishim valixhe, nuk kishim rroba të pastra për të palosur, nuk kishim sende që duhej t’i kontrollonim para nisjes. Kishim vetëm ato pak rroba që kishim veshur ditë pas dite brenda ambasadës, pa mundësi për t’i larë apo ndërruar. Megjithatë, lajmi se më në fund ishte marrë një vendim dhe se do të largoheshim solli një emocion të madh. Pas gjithë asaj pritjeje, më në fund po ndodhte diçka.

Rreth orës gjashtë të pasdites, autobusët mbërritën përpara ambasadës. Ishin gjashtë, pesë prej të cilëve u mbushën plot, ndërsa i gjashti qëndroi pas nesh, bosh, si rezervë për çdo të papritur. Filluan të na fusnin një nga një në autobusë dhe, rreth orës shtatë, autokolona u nis. Në fillim morëm drejtimin e rrugës së Durrësit, por në një moment u kthyem dhe morëm rrugën e Kavajës. Më vonë mësuam se në rrugën e Durrësit kishin dalë shumë banorë për të na përcjellë dhe se, për të shmangur një grumbullim që mund të sillte pasoja të paparashikueshme, ishte vendosur të ndryshohej itinerari.

Por sapo dolëm nga Tirana dhe hymë në Kombinat, pamë se edhe aty njerëzit kishin dalë në rrugë. Na përshëndesnin ndërsa autokolona kalonte. Ishte një kolonë e gjatë, e përbërë jo vetëm nga autobusët tanë, por edhe nga makina ushtarake e policie dhe mjete të tjera shoqëruese. Përpara nesh udhëtonte edhe i dërguari special i KB, i cili kryesonte autokolonën. 

Në atë pjesë të rrugës ndodhi një nga ato skena që, edhe pas kaq shumë vitesh, më duket sikur e kam parë në një film. Unë ndodhesha në autobusin e pestë. Një djalë me biçikletë, sapo pa autokolonën, filloi të vraponte pas autobusit. Pedalonte me sa fuqi kishte, por autobusi po largohej. Njerëzit brenda e vunë re dhe, kur ai arriti pranë nesh, hapën derën. Djali u kap në çastin e fundit dhe ata që ishin pranë derës e tërhoqën brenda. Biçikleta i mbeti në rrugë. Ai ishte njeriu i fundit që u bashkua me ne në atë udhëtim drejt Francës.

Rruga vazhdoi dhe, sa më shumë largoheshim nga Tirana, aq më e zbrazët dukej gjithçka përreth. Në atë kohë Tirana dhe Durrësi nuk ishin ende të bashkuara siç janë sot dhe rruga kalonte nëpër hapësira të mëdha fushash. Ishte korrik, nata kishte filluar të binte dhe, diku pranë Mamínas, ndodhi diçka që do të na kthente për disa minuta në atë frikën e vjetër nga e cila mendonim se po largoheshim.

Autobusi me defekt

Autobusi i pestë, pikërisht autobusi ku ndodhesha unë, pësoi defekt. Për shkak të defektit, autobusi u shkëput nga pjesa tjetër e autokolonës. Pjesa e parë e kolonës vazhdoi edhe pak përpara, pa e kuptuar menjëherë se çfarë kishte ndodhur, dhe më pas u ndal në një distancë nga ne. Ne mbetëm pas, të veçuar nga pjesa tjetër e mjeteve, në mes të fushave dhe në errësirën që tashmë kishte rënë.

Në fillim nuk kuptuam asgjë. Pastaj pamë se edhe pjesa tjetër e autokolonës ishte ndalur më përpara. Brenda autobusit filloi të përhapej shqetësimi. Në atë errësirë, me autobusët e tjerë të distancuar nga ne dhe me policinë e ushtrinë përreth, dikush tha se ndoshta na kishin zënë pritë. Fjala kaloi nga njëri te tjetri : na kanë zënë pritë, do të na vrasin, na kanë rrethuar.

Pyetëm shoferin dhe ai na shpjegoi se autobusi kishte pësuar defekt. Në rrethana normale, një defekt do të kishte qenë thjesht një problem teknik. Por për ne, pas gjithë asaj që kishim kaluar, asgjë nuk dukej më normale. Fakti që autobusi ynë ishte shkëputur nga autokolona dhe kishte mbetur pas, në errësirë, e bënte gjithçka edhe më të dyshimtë.

Pak më vonë na dhanë urdhër të zbrisnim dhe të kalonim në autobusin e gjashtë, i cili kishte mbetur bosh pas nesh. Kjo shkaktoi panik. Njerëzit filluan të bërtisnin se nuk do të zbrisnin, se po na mashtronin dhe se ndoshta donin të na vrisnin. Askush nuk po kuptonte më se çfarë duhej të bënte.

Për ditë të tëra kishim jetuar pas kangjellave të ambasadës, në një vend që nga jashtë dukej si burg, por që për ne kishte qenë strehë dhe mbrojtje. Brenda atyre kangjellave ndiheshim të sigurt. Tani po dilnim prej tyre dhe, në vend që të ndienim lirinë, kishim përsëri ndjesinë sikur po hynim në një burg tjetër, vetëm se kësaj here nuk kishte kangjella. Kishte errësirë, policë, ushtarë dhe një rrugë të zbrazët që nuk dinim ku do të na çonte.

Në atë rrëmujë u shfaq para autobusit i dërguari i Kombeve të Bashkuara, i shoqëruar nga përkthyesi. Ai na siguroi se autobusi kishte vërtet defekt dhe na kërkoi të zbrisnim. Pastaj na tha se ai vetë do të qëndronte aty përballë nesh dhe se, nëse dikush do të guxonte të na sulmonte, do të duhej të kalonte më parë mbi të. Vetëm atëherë njerëzit filluan të merrnin pak guxim.

Një nga një zbritëm nga autobusi i pestë dhe kaluam në autobusin e gjashtë. Ishte një moment i çuditshëm. Për ditë të tëra kishim jetuar pas kangjellave të ambasadës, në një vend që nga jashtë dukej si burg, por që për ne kishte qenë strehë dhe mbrojtje. Brenda atyre kangjellave ndiheshim të sigurt. Tani po dilnim prej tyre dhe, në vend që të ndienim lirinë, kishim përsëri ndjesinë sikur po hynim në një burg tjetër, vetëm se kësaj here nuk kishte kangjella. Kishte errësirë, policë, ushtarë dhe një rrugë të zbrazët që nuk dinim ku do të na çonte.

Kur u siguruam se të gjithë kishin hipur në autobusin tjetër dhe dyert u mbyllën, menduam se ajo frikë kishte kaluar. Por gjatë gjithë kësaj kohe unë kisha ende në dorë pesëmbëdhjetë mijë lekë. M’i kishte dhënë vëllai bashkë me Fredin shokun tij, me mendimin se, nëse gjatë kalimit në Durrës do të takonim njerëz të njohur, t’ua jepja. Ndërsa shihja mënyrën se si po zhvillohej udhëtimi dhe gjithë atë shoqërim ushtarak e policor, kuptova se nuk do të kishim asnjë mundësi të takonim askënd. Paratë më kishin mbetur në dorë dhe nuk dija çfarë të bëja me to.

Në momentin e fundit iu afrova shoferit dhe e pyeta nëse kishte fëmijë.

— Po, më tha. — Sa ?  — Katër.

Nuk mendova gjatë. Ia zgjata paratë. Ai i mori, më pa dhe më tha : «Zoti ta bëftë hallall.» Kishte lot në sy. Unë vetëm e falënderova dhe u largova. Pesëmbëdhjetë mijë lekët që ishin menduar për dikë që mund të takonim në Durrës, përfunduan në duart e një babai me katër fëmijë. Ishte ndoshta gjesti i fundit që mund të bëja për dikë në vendin që po lija pas.

Drejt portit

Pas kësaj vazhduam drejt Durrësit. Hymë nga Shkozeti dhe morëm drejtimin nga plazhi. Hyrja e portit ishte në atë pjesë pas hyrë akoma ne zonen e plazhit, aty ku kalonin edhe shinat e trenit. Sapo hymë, pamë një rresht të gjatë ushtarësh të vendosur njëri pranë tjetrit, aq të ngjeshur sa dukeshin si një gardh i bërë nga trupa njerëzorë.

Ne filluam t’i përshëndesnim. Bënim shenja me duar, ndërsa nga ana tjetër vinin reagime të ndryshme. Disa ushtarë na shanin, na quanin tradhtarë e rrugaçë. Të tjerë, megjithatë, na përshëndesnin fshehurazi. Disa buzëqeshnin, disa mbanin kokën ulur, sikur edhe ata të kishin frikën e tyre. Njerëzit në autobusë filluan të hidhnin paketa cigaresh drejt ushtarëve. Ishte një gjest i vogël, por në atë atmosferë mori një kuptim tjetër.

Autokolona që po hynte në port kishte diçka të frikshme. Pesë autobusët plot, kamionët ushtarakë, policia, përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe gjithë ajo forcë shoqëruese krijonin pamjen e një kortezhi mortor. Dukej sikur një qytet i tërë po përcillte një të vdekur. Dhe për mua kjo pamje kishte një domethënie edhe më të fortë, sepse po kthehesha në qytetin tim, në lagjen time, pikërisht aty ku kisha kaluar një pjesë të fëmijërisë. Si fëmijë kisha luajtur pranë kalatave dhe kisha hyrë në zonat e portit për të gjuajtur peshk. Tani po kthehesha në të njëjtin vend, por jo më si fëmijë. Po kthehesha për ta lënë.

Kur arritëm në hapësirën e madhe të portit, autobusët u ndalën rreth njëqind metra larg kalatës. Anija ishte aty dhe kishte hapur barkun e saj. Nga larg, hyrja e saj e zezë dukej si një gropë e thellë. Nuk kishte pothuajse asnjë dritë. Vetëm dy projektorë të mëdhenj, të vendosur në të dyja anët e anijes, ndriçonin pjesërisht zonën. Pas dritës dukeshin siluetat e policëve, njerëzit që lëviznin dhe kamerat që filmonin gjithçka.

Autobusët ndaluan dhe pritëm. Askush nuk na jepte ndonjë shpjegim. Koha kalonte dhe tensioni brenda autobusëve shtohej. Disa përpiqeshin të qetësonin të tjerët, ndërsa të tjerë filluan të pyesnin me zë të lartë se çfarë po ndodhte dhe nëse na kishin rrethuar. Ishte e vështirë të kuptoje nëse po prisnim një urdhër, nëse po zhvilloheshin negociata apo nëse gjithçka ishte përgatitur dhe thjesht pritej çasti i nisjes.

Në atë pritje u shfaq një personazh i njohur i asaj kohe, Xhep Kajosha. Ai filloi të kalonte para autobusëve, me duart pas shpine, duke na parë nëpër xhama njëri pas tjetrit. Ishte një lloj provokimi. Nga brenda autobusëve filluan t’i bërtisnin, ndërsa ai vazhdonte të ecte dhe të na shante nëpër dhëmbë, duke na quajtur tradhtarë e huliganë dhe duke na kujtuar se kishim lënë familjet tona. Sharjet vazhdonin nga të dyja anët, por ai nuk e ndryshonte ritmin. Kalonte para autobusëve me një qetësi të çuditshme, sikur të ishte në një shëtitje të zakonshme.

Pothuajse një orë kaloi kështu.

Ndërkohë, në anën tjetër të portit, diçka tjetër po ndodhte. Përtej rrjetave, në drejtim të stacionit të trenit, dritat ishin të fikura, por nëpër dritare dukeshin njerëz. Tarracat e pallateve ishin mbushur gjithashtu me njerëz, kryesisht të rinj. Filluan të thërrisnin emra. «O Turo !», «O Fredo !», «A është filani aty ?» 

Thirrjet vinin nga çdo anë. Pastaj, dalëngadalë, u shndërruan në brohoritje : «Liri! Demokraci!»

Ishte ndoshta momenti më emocionues i gjithë atij udhëtimi, deri atëherë. Në atë botë të mbyllur dhe të frikshme ku kishim jetuar, ku njerëzit kishin mësuar të mendonin dy herë para se të thonin një fjalë, tani një qytet po bërtiste hapur për liri dhe demokraci. Vetëm pak javë më parë një skenë e tillë do të ishte e pamendueshme. Tani po ndodhte para syve tanë.

Ndoshta ne ishim vetëm fillimi. Ndoshta ishim pionierët e parë të asaj që do të vinte më pas. Por atë natë, për herë të parë, dukej se diçka po lëvizte në Shqipëri. Frika nuk ishte më e pathyeshme.

Pastaj erdhi radha jonë. Ne ishim autobusi i fundit, por ndodhi që të ishim të parët që do të zbrisnim. Dyert u hapën dhe përpara nesh u shfaqën përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, policia, njerëzit e sigurimit dhe zyrtarët e tjerë. Na shpjeguan se nuk do të zbrisnim të gjithë njëherësh. Do të dilnim një nga një dhe do të ecnim drejt anijes.

Atëherë e kuptova çfarë po ndodhte. Secili prej nesh do të kalonte vetëm përpara tyre, përpara kamerave, përpara policisë dhe ushtarëve. Secila fytyrë do të regjistrohej. Ishte sikur po na filmonin për herë të fundit në tokën tonë.

Përpara nesh ishte anija, me barkun e saj të hapur dhe të errët. Pas nesh mbetej autobusi. Rreth nesh ishin ata që kishin ardhur të na përcillnin, të na ruanin ose të na kontrollonin.

Dhe përtej gjithë asaj skene ishte Durrësi, qyteti im, vendi ku kisha qenë fëmijë dhe ku tani po kthehesha vetëm për ta lënë.

Ishte çasti i fundit para hapit. Hapi që do të më nxirrte nga autobusi dhe do të më vendoste përballë atyre që e kishin ruajtur atë tokë si të ishte e tyre. Përballë ujqërve.

Por në çastin kur dola nga autobusi, ujqërit në kujtesën time morën një tjetër pamje.

U bënë hiena. 

Njëqind hapa më ndanin nga ajo gropë e zezë që do të na merrte një nga një. Në të dyja anët, hienat na shikonin, gati të na hidheshin përsipër. Ishin aty në fytyrat e njerëzve që na shanin, në vështrimet e atyre që na kontrollonin, në heshtjen e atyre që na shikonin pa guxuar të thoshin asgjë. Përballë tyre, çdo hap dukej si një provë. Mjaftonte një hezitim i vogël dhe mund të bëheshe, në sytë e tyre, vetëm një copë mishi për t’u shqyer.

100 kilometra

E panjohura është ajo që të bën të dyshosh në çdo hap që hedh. Të bën të pyesësh veten nëse ajo që po bën është e drejtë apo nëse ke gabuar. Por kur në njërën anë ke një tufë hienash dhe në anën tjetër humnerën, njeriu zgjedh gjithmonë humnerën. 

Njëqind hapa. Më dukeshin si njëqind kilometra.

Pamjet më rrotulloheshin në kokë sikur po shkoja drejt vdekjes. Drita e prozhektorëve më verbonte sytë dhe kamerat filmonin çdo hap timin. Nuk isha duke ngjitur shkallët e Cannes por po  drejtohesha drejt një gropë të zezë, fundi i së cilës nuk dukej.

Pas meje ishte autobusi. Përtej tij ishte Durrësi. Përpara meje ishte anija dhe, përtej anijes, një botë që nuk e njihja.

Hapat e fundit në tokën time po mbaronin.

Dhe atëherë e kuptova se po kaloja një prag që nuk do të kalohej më kurrë në të njëjtën mënyrë. Nuk po largohesha vetëm nga një qytet. Po ndahesha nga një jetë.

Kur kalova pragun e anijes, përballë meje gjithçka u bë e zezë. Ktheva kokën edhe një herë për të parë Durrësin. E pashë qytetin tim për herë të fundit, atë qytet ku kisha lindur, ku kisha luajtur si fëmijë, ku kisha mësuar të njihja detin dhe rrugët, njerëzit dhe zërat.

Po e lija tokën ku kisha lindur, por ajo tokë nuk ishte më e imja.

Ajo tokë u përkiste hienave.

Në atë çast dëgjova dikë që më fliste. Ishte një gjuhë që nuk e njihja. Ktheva sytë drejt errësirës dhe dallova dy silueta në të dyja anët e portës. Ishin forca të armatosura, të vendosura në pozicion zjarri të kryqëzuar, gati për të luftuar. Njëri prej tyre më bëri shenjë të vazhdoja.

Vazhdova të ecja me kujdes. Pastaj, diku përpara, dallova një dritë.

Ishte një dritë e vogël, por pas gjithë asaj errësire më dukej sikur po shihja agimin e një bote tjetër. Një ditë e re. Dita ime e rilindjes.

Rreth mesnatës u ndezën motorët e anijes. Zhurma e tyre u përhap nëpër port dhe, pak më vonë, anija filloi të lëvizte. Askush nuk fliste shumë. Secili ishte i mbyllur në mendimet e veta. Ndoshta të gjithë po përpiqeshim të kuptonim se çfarë sapo kishim bërë dhe çfarë do të na priste përtej detit.

Në mëngjes, pas një gjumi të shkurtër, të gjithë dolëm në kuvertë. Dita ishte e mrekullueshme. Ajri i detit ishte i pastër dhe bregdeti tashmë ishte zhdukur nga horizonti. Shqipëria nuk dukej më.

Disa shikonin pas, të tjerë përpara. Dikush pyeti nëse do të ktheheshim ndonjëherë në atë tokë. Pyetja mbeti pezull mes nesh, sepse askush nuk mund ta dinte përgjigjen.

Unë shikoja horizontin dhe mendja ime ishte larg. Nuk e vura re kush më foli, por dukej sikur e kuptonte atë që ndieja. 

— Mos u shqetëso, më tha. Një ditë hienat do të vdesin dhe ti do të kthehesh.

*(Fatmir Lazo, lindur në Durrës, jeton dhe punon në Francë. Ai është përkthyes, poet dhe shkrimtar. Ka promovuar disa libra të autorëve shqiptarë.

 Titulli dhe nëntitujt e shkrimit, janë të gazetarit Gëzim Kabashi, i cili u bë shkak për hartimin e këtij teksti.

Fatmir Lazo u largua nga Shqipëria me eksodin e ammbasadave në korrik 1990).