Kryeministri hungarez Péter Magyar ka deklaruar se Bashkimi Evropian po përballet me një krizë lidershipi politik dhe duhet të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e tij, në mënyrë që jo vetëm të mbijetojë, por edhe të rrisë konkurrueshmërinë.
Duke folur në Forumin Strategjik të Bledit, në një panel me liderë të rajonit, Magyar kritikoi burokracinë e BE-së, duke thënë se ajo po pengon nismat dhe vendimmarrjen politike.
“Për të qenë i sinqertë, në Bashkimin Evropian mungon lidershipi politik”, deklaroi ai, duke argumentuar se fokusi i tepërt te çështjet institucionale po e largon bllokun nga sfidat reale.
Magyar paralajmëroi se ndërsa BE-ja merret me çështjet e brendshme, Kina po përgatitet të investojë në centrale bërthamore dhe fabrika automobilistike në Evropë.
“Duhet të vendosim nëse Bashkimi Evropian dëshiron vetëm të mbijetojë apo të fitojë”, tha kryeministri hungarez, duke bërë thirrje për ndryshim në mënyrën se si funksionon blloku.
Ai kritikoi gjithashtu gjobën ditore të BE-së ndaj Hungarisë për çështjen e migracionit. Në vitin 2024, Hungarisë iu vendos një gjobë prej 200 milionë eurosh, e shoqëruar me një pagesë ditore, për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë lidhur me të drejtat e azilkërkuesve.
Sipas Magyar, Hungaria po paguan 1 milion euro në ditë, ndërsa përballet me presion financiar edhe për shkak të masave të saj për mbrojtjen e kufijve. Ai e cilësoi situatën si të padrejtë dhe tha se çështja duhet të zgjidhet.
Magyar, i cili i përket së njëjtës Parti Popullore Evropiane të qendrës së djathtë si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërkoi një qasje më pragmatike dhe më të fokusuar te interesat dhe konkurrueshmëria e Evropës.





