Avokatët e njohur të angazhuar për të mbrojtur muzikantin amerikan D4vd në gjyqin për vrasjen e 14-vjeçares Celeste Rivas Hernandez janë tërhequr nga çështja.

D4vd, emri i ligjshëm i të cilit është David Anthony Burke, u deklarua i pafajshëm të hënën në një gjykatë në Los Angeles, ndërsa gjykata ka caktuar një seancë paraprake për 19 tetor.

21-vjeçari akuzohet për vrasjen e Hernandez, trupi i së cilës u gjet në shtator 2025 në një Tesla të regjistruar në adresën e tij. Prokurorët pretendojnë se Burke e ka vrarë adoleshenten pas një periudhe abuzimi seksual dhe më pas ka copëtuar trupin e saj.

Avokatët Blair Berk, Marilyn Bednarski dhe Regina Peter, të cilët kishin marrë përsipër mbrojtjen e muzikantit, deklaruan për BBC se gjykata kishte miratuar kërkesën e tyre për t’u tërhequr nga çështja. Në vend të tyre, Burke do të përfaqësohet nga Zyra e Avokatit Publik të Qarkut të Los Angeles.