Një zyrtare e Bankës së Amerikës është vrarë me thikë në mes të ditës në zonën e famshme të Times Square në Nju Jork, në një sulm që autoritetet e kanë cilësuar si të rastësishëm dhe të paprovokuar.
Viktima është identifikuar si Erin Piacenti, 32 vjeçe, zëvendëspresidente në Bank of America. Identiteti i saj u konfirmua nga policia e Nju Jorkut dhe nga vetë banka, ndërsa një memo e brendshme e institucionit, e siguruar nga Reuters, konfirmoi gjithashtu identitetin e saj.
Bank of America deklaroi se ishte “e tronditur dhe thellësisht e pikëlluar” nga humbja tragjike e punonjëses së saj.
“Zemrat tona janë me familjen e saj dhe të gjithë njerëzit e saj të dashur”, tha banka në një deklaratë për Reuters.

Piacenti punonte në njësinë e bankës që merret me përzgjedhjen e bizneseve dhe konfliktet e interesit. Sipas profilit të saj në LinkedIn, ajo mbante pozicionin e zëvendëspresidentes.
Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 16:24, në afërsi të West 42nd Street dhe Seventh Avenue, në zemër të Midtown Manhattan, ku një grua sulmoi me thikë dy persona, më pas kërcënoi edhe efektivët e policisë. Më pas policia e qëlloi gruan me arme, duke e lënë të vdekur.





