Protesta e 99-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka vijuar si çdo natë me marshimin e qytetarëve nëpër rrugët e Tiranës.
Protestuesit kanë nisur lëvizjen nga sheshi, ndërsa gjatë marshimit kanë përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit.
“Ju erdhi fundi!” dhe “Rama jep dorëheqjen!” janë ndër thirrjet që shoqërojnë marshimin e qytetarëve, të cilët vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit dhe qeverisë së tij.
Marshimi zhvillohet në prag të 100 ditëve nga nisja e protestave, një moment që aktivistët e kanë cilësuar si të rëndësishëm dhe për të cilin kanë bërë thirrje për një mobilizim më të madh.
Protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e qëndresës edhe gjatë muajit shtator, ndërsa aktivistë të ndryshëm kanë deklaruar se protesta do të përshkallëzohet drejt formave të mosbindjes civile.





