Deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe përgjimet e bëra publike të Ron Yeffet kanë nxitur një reagim nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili i ka kërkuar SPAK-ut hetim të menjëhershëm e të pandikuar. Bardhi theksoi se materialet e bëra publike provojnë kapjen përfundimtare të shtetit, ku pasuritë publike po ndahen si pronë private e Edi Ramës dhe interesat e biznesit po nënshtrohen përmes presionit e korrupsionit.
Rasti më alarmant i denoncuar lidhet me kompaninë KAYO dhe skemën e mundshme të trafikimit ndërkombëtar të armatimit. Sipas të dhënave të publikuara, armët me origjinë nga Afrika dyshohet se paketoheshin në Shqipëri me synim dërgimin e tyre në zona konflikti, një veprimtari e paligjshme që cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe detyrimet e vendit si anëtar i NATO-s. Bardhi e cilësoi Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, si një marionetë thjesht politike të Ron Yeffet, të vendosur në atë post për të kryer prapaskenat e pushtetit.
Kreu i grupit parlamentar nënvizoi se Shqipëria nuk mund të vazhdojë të funksionojë si biznes personal i kryeministrit, ku institucionet përdoren për interesat e një rrethi të ngushtë njerëzish ndërsa pushtetarët qëndrojnë mbi ligjin. Bardhi i bëri thirrje organit të akuzës për hetim shterues pa asnjë mburojë politike apo standarde të dyfishta, duke përfunduar se e vetmja rrugë për t’i kthyer frymëmarrjen vendit është largimi i menjëhershëm i Edi Ramës dhe çmontimi i këtij sistemi korruptiv.
Reagimi i plotë:
Intervista e mbrëmshme e ish-Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe përgjimet e bëra publike ngrenë akuza jashtëzakonisht serioze për mënyrën se si funksionon pushteti i Edi Ramës.
Këto nuk janë më thjesht akuza politike. Janë pretendime që kërkojnë hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të pandikuar nga SPAK.
SPAK duhet t’i administrojë këto materiale pa asnjë vonesë. Sepse ajo që pretendohet është tronditëse: ndarje pasurish publike, favorizim interesash private, presione ndaj bizneseve dhe përdorim i parave të shqiptarëve jashtë rregullave dhe transparencës.
Këto akuza provojnë se kemi përpara një sistem të kapjes së shtetit, jo një qeverisje normale.
Por më e rëndë është ajo që tregohet në lidhje me kompaninë shtetërore KAYO dhe mundësinë e trafikimit ndërkombëtar të armëve, me origjinë nga Afrika, për t’u paketuar në Shqipëri dhe më pas për t’u dërguar në zona konflikti.
Kjo nuk është një çështje që mund të mbyllet me një deklaratë politike. Kjo sepse kemi të bëjmë me një çështje që prek sigurinë kombëtare, ligjin shqiptar dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Dhe pyetjet janë të thjeshta: Kush e drejton këtë mekanizëm? Kush jep urdhrat? Kush përfiton? Kush mban përgjegjësi? Përgjigjia është vetëm një: Edi Rama!
Dje u bë edhe më e qartë se Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, nuk është gjë tjetër veçse një marionetë politike e Ron Yeffet, i vendosur në atë detyrë për t’i shërbyer interesave të pushtetit dhe për të kryer, bashkë me të, punët më të pista të Edi Ramës. Një emër në një post të rëndësishëm, por pa peshën dhe integritetin që kërkon ajo detyrë, një tjetër dëshmi e mënyrës se si Rama e përdor shtetin si instrument të interesave të tij politike.
Shqiptarët nuk mund të kenë një shtet ku ligji zbatohet për qytetarin, ndërsa pushteti qëndron mbi ligjin. Nuk mund të kenë një shtet ku pasuria publike trajtohet si pronë private. Nuk mund të kenë një qeveri ku institucionet përdoren për interesa të një rrethi të ngushtë njerëzish.
Shqipëria nuk është pronë e Edi Ramës.
Pasuritë publike nuk janë pronë e Edi Ramës.
Institucionet nuk janë pronë e Edi Ramës.
Dhe Shqipëria nuk është biznesi i askujt.
Prandaj kërkojmë hetim të plotë dhe përgjegjësi për çdo shkelje që provohet. Pa mburojë politike. Pa standarde të dyfishta. Pa pandëshkueshmëri.
Edi Rama duhet të largohet.
Shqipëria ka nevojë për një shtet ku sundon ligji, jo një pushtet ku sundon interesi. Shqipëria duhet të marrë frymë. Shteti duhet t’u kthehet shqiptarëve.





