Automjetet elektrike po fitojnë terren, Kina po rrit peshën në importe dhe hyrja zyrtare e BYD pritet të sjellë në treg automjete të standardit europian, duke ruajtur avantazhin konkurrues të prodhimit kinez.
Për dekada, tregu shqiptar i automjeteve ka parë drejt Europës. Gjermania dhe Italia kanë qenë burimet kryesore të makinave që hynin në vend, kryesisht automjete të përdorura me motorë me naftë.
Por kjo hartë po ndryshon.
Rritja e importeve nga Azia dhe, veçanërisht, e automjeteve elektrike po krijon një alternativë të re për blerësin shqiptar: një makinë të re, me teknologji bashkëkohore, të prodhuar me kosto konkurruese në Kinë, por të certifikuar dhe përshtatur për kërkesat e tregut europian.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, në Shqipëri u regjistruan për herë të parë 48.8 mijë automjete, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR). Numri u rrit me 3% krahasuar me një vit më parë, por brenda kësaj shifre po ndodh një transformim shumë më i fortë.
Rreth 5,700 prej mjeteve të regjistruara ishin elektrike, ose 3.4 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Automjetet elektrike përbënin 11% të regjistrimeve të reja. Pra, më shumë se një në çdo dhjetë makina që hyri për herë të parë në qarkullim ishte elektrike.
Kina ndryshon hartën e importeve
Ndryshimi nuk lidhet vetëm me teknologjinë e automjeteve, por edhe me origjinën e tyre.
Koreja e Jugut kryesoi në periudhën janar–qershor me rreth 12.3 mijë automjete, ose 25% të regjistrimeve për herë të parë, ku dominonin mjetet e përdorura. Kina u rendit e dyta, me afro 8,200 mjete dhe 16.9% të totalit, kryesisht automjete të reja.
Gjermania dhe Italia, dy tregjet tradicionale të shqiptarëve, zbritën përkatësisht në vendin e tretë dhe të katërt, me rreth 5.8 dhe 5.6 mijë automjete.
Zhvendosja drejt Azisë është fillimisht një histori çmimesh. Por, në rastin e Kinës, ajo lidhet gjithnjë e më shumë edhe me teknologjinë. Prodhuesit kinezë nuk po konkurrojnë më vetëm në segmentin ekonomik. Ata po hyjnë në treg me automjete elektrike të pajisura me bateri të avancuara, sisteme inteligjente dhe nivele të larta komforti.
Për konsumatorin shqiptar, kjo krijon një zgjedhje të re. Përballë një makine europiane disa vjeçare, të importuar si e përdorur, tashmë mund të qëndrojë një automjet i ri elektrik në një fashë të krahasueshme çmimi.
BYD, marka që dominon importet e mjeteve elektrike
BYD është marka që po fiton më shumë terren me rritjen e interesit për automjetet elektrike. Në vitin 2025, prodhuesi kinez arriti afro 3,500 automjete të shitura në Shqipëri, nga vetëm 543 një vit më parë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 janë shitur 3,848 mjete, sipas të dhënave të DPSHTRR-së. Këto janë mjete të prodhuara sipas standardeve të tregut kinez dhe jo modele të homologuara për tregun europian.
Rritja prej rreth 541% e vendosi markën në krye të tregut vendas sipas numrit të njësive, edhe pse deri tani një pjesë e automjeteve kanë hyrë përmes importeve të pavarura.
Ecuria në Shqipëri ndjek zhvillimin global të kompanisë. Në vitin 2025, BYD shiti rreth 2.25 milionë automjete plotësisht elektrike, duke kaluar Teslën, e cila regjistroi afërsisht 1.64 milionë njësi.
Avantazhi i prodhuesit kinez nuk lidhet vetëm me vëllimin. BYD kontrollon një pjesë të madhe të zinxhirit të prodhimit, nga bateritë dhe motorët elektrikë te sistemet elektronike. Fabrikat e automatizuara i mundësojnë kompanisë të prodhojë me ritme të larta dhe të ulë kostot për njësi.
Paralelisht, kompania po investon në teknologji të karikimit ultra të shpejtë, të cilat synojnë ta afrojnë kohën e karikimit me atë të furnizimit tradicional me karburant. Përdorimi real i këtyre kapaciteteve do të varet, megjithatë, nga infrastruktura e disponueshme në secilin treg.
Hyrja zyrtare vjen pasi tregu e ka dhënë sinjalin
Interesi për BYD në Shqipëri u krijua përpara hyrjes zyrtare të markës. Kjo tregoi se ekziston kërkesë për automjete elektrike kineze, por nxori në pah edhe çështje që lidhen me garancinë, shërbimin, pjesët e këmbimit dhe përputhshmërinë teknike.
Tashmë, BYD ka njoftuar hyrjen zyrtare në Shqipëri përmes “Dream Auto CG”, një sipërmarrje e përbashkët mes “AutoMaster” dhe “CG Corp Global”.
“Dream Auto CG” do të jetë importuesi zyrtar dhe do të mbulojë shitjen e automjeteve, garancinë e prodhuesit, pjesët origjinale dhe shërbimet pas shitjes. Showroom-i i parë është ngritur në Vorë dhe do të funksionojë sipas modelit 4S, duke përfshirë ekspozimin, shitjen, servisin dhe furnizimin me pjesë këmbimi. Në vitet e ardhshme parashikohet edhe zhvillimi i mëtejshëm i rrjetit në të gjithë vendin.
Hyrja zyrtare nuk e krijon kërkesën për markën; ajo vjen pasi tregu e ka dëshmuar tashmë interesin. Ndryshimi kryesor është kalimi nga importet e fragmentuara te një sistem i organizuar shitjeje dhe mirëmbajtjeje.
Automjetet që do të ofrohen përmes kanalit zyrtar do të jenë të destinuara për tregun europian dhe të shoqëruara me mbështetjen përkatëse të prodhuesit. Për blerësin, kjo nënkupton më shumë siguri për standardet teknike, garancinë e baterisë, përditësimet elektronike dhe shërbimin pas shitjes.
Shqipëria po përgatitet të përafrojë plotësisht rregullat e homologimit dhe regjistrimit të automjeteve me Rregulloren (BE) 2018/858. Kuadri i ri parashikon që regjistrimi i mjeteve të importuara të mbështetet në Certifikatën Europiane të Përputhshmërisë (EU CoC), duke kufizuar regjistrimin e automjeteve, veçanërisht atyre nga tregjet jashtë BE-së, që nuk kanë homologim europian.
Çmimi nuk është i vetmi avantazh
Modelet e destinuara për Europën duhet të përmbushin kërkesa specifike për homologimin dhe sigurinë dhe të jenë të përshtatura me standardet e tregut europian. Po aq e rëndësishme është edhe mbështetja pas shitjes. Përditësimet e rregullta të sistemeve dhe software-it ndihmojnë që automjeti të funksionojë në mënyrë optimale edhe pas blerjes, ndërsa garancia e vlefshme në rrjetin europian i jep konsumatorit më shumë siguri për mirëmbajtjen dhe riparimet.
Për konsumatorin, diferenca në çmim nuk është domosdoshmërisht elementi vendimtar. Një automjet i destinuar dhe i homologuar për tregun europian mund të kushtojë disi më shumë, por në këmbim ofron standarde më të larta sigurie, sisteme të certifikuara të asistencës në drejtim, përputhshmëri me kërkesat europiane për karikimin dhe mbrojtjen e të dhënave, si dhe më shumë siguri për përdorimin afatgjatë të mjetit.
Në këtë këndvështrim, një çmim disi më i lartë mund të justifikohet nga diferenca në standard, siguri dhe shërbim. Për një blerës, kursimi në momentin e blerjes nuk ka domosdoshmërisht të njëjtën vlerë me sigurinë se automjeti është i homologuar sipas kërkesave të BE-së, do të vazhdojë të marrë përditësime dhe mbështetet nga një garanci e njohur edhe jashtë Shqipërisë.
Çmimet dhe modelet që BYD do të ofrojë zyrtarisht në Shqipëri nuk janë bërë ende publike. Avantazhi i hyrjes zyrtare do të varet jo vetëm nga çmimi, por edhe nga aftësia për të kombinuar koston konkurruese të prodhimit kinez me standardet europiane të sigurisë, garancinë, përditësimet dhe shërbimin pas shitjes.
Kjo mund të ndryshojë edhe mënyrën se si konsumatori krahason alternativat në treg. Përballë zgjedhjes mes një automjeti europian të përdorur dhe një makine të re elektrike kineze, krahasimi nuk do të bëhet vetëm mbi çmimin e blerjes, por edhe mbi sigurinë, teknologjinë, garancinë, kostot e mirëmbajtjes dhe jetëgjatësinë e përdorimit.
Me rreth 1.1 milion automjete në qarkullim, Shqipëria është ende larg një tranzicioni të plotë elektrik. Por regjistrimet e këtij viti, rritja e importeve nga Kina dhe hyrja zyrtare e BYD tregojnë se balanca ka nisur të zhvendoset. /Monitor





