Qeveria po kërkon ta frenojë shtrenjtimin e ushqimeve përmes “PriceWatch”, një platformë që do t’u mundësojë konsumatorëve të krahasojnë çmimet në rrjetet e supermarketeve.

Nisma mund të rrisë transparencën, t’i ndihmojë familjet të zgjedhin alternativën më të lirë dhe të ushtrojë presion konkurrues mbi tregtarët, por ajo nuk prek drejtpërdrejt kostot që formojnë çmimin.

Pas çmimit të një produkti ushqimor në vendin tonë qëndron një zinxhir i gjatë faktorësh, që nga prodhimi i pamjaftueshëm vendas, varësia nga importet, TVSH-ja 20%, çmimi i lartë i karburantit, transporti, humbjet gjatë shpërndarjes. Në sezonin turistik, këtij zinxhiri i shtohen trafiku, vonesat në furnizim dhe një kërkesë që bujqësia vendase nuk po arrin ta ndjekë.