Një konflikt për motive të dobëta ka rrezikuar të përshkallëzohet me pasoja të rënda në Rrogozhinë, ndërsa policia ka finalizuar operacionin e koduar “Prevent 2”.

Në pranga ka rënë një 26-vjeçar nga Peqini, i identifikuar me inicialet A. I., pasi dyshohet se ka kanosur për vrasje një 35-vjeçar nga Tirana, duke përdorur një armë zjarri tip kallashnikov.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të 13 shtatorit. Sipas policisë, 35-vjeçari po shkonte pranë banesës së një 36-vjeçareje në Rrogozhinë, ku ndodheshin 26-vjeçari dhe një 21-vjeçar.

Pas marrjes së informacionit për kanosjen me armë, shërbimet e Komisariatit të Kavajës dhe Stacionit të Policisë Rrogozhinë lokalizuan banesën dhe ushtruan kontroll.

Gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua një kallashnikov, së bashku me municion luftarak.

Përveç 26-vjeçarit, policia arrestoi edhe 21-vjeçarin O. T., i dyshuar për “Moskallëzim të krimit”.

Ndërkohë, ndaj 36-vjeçares, në banesën e së cilës dyshohet se nisi konflikti, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale.

Arma dhe municionet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme kriminalistike, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit.