Një skandal i vërtetë trukimi ndeshjesh ka shpërthyer së fundi në botën e futbollit. Konkretisht në Bolivi, ku portieri i Deportivo Guabirá, Juan Manuel Ferrel, është kërcënuar se do t’i vrasin bashkëshorten dhe nënën para ndeshjes së humbur 6-0 ndaj Always Ready në Primera division. I pari ka folur për skandalin trajneri i Guabirá, Leonardo Egüez, duke kërkuar një hetim nga Federata Boliviane e Futbollit dhe Prokuroria. Sipas trajnerit, portierit Ferrel i është kërkuar të pësojë të paktën 3 gola, nëse nuk do që t’i vriten familjarët.
“Nuk mund të bëjmë një analizë ndeshjeje, nëse ka një kërcënim me jetë”, – deklaroi Egüez. Ferrel u zëvendësua në minutën e 39-të të pjesës së parë, kur kundërshtari kishte shënuar 4 gola.Edhe sulmuesi Víctor Ábrego ka treguar se kishte kërkuar zëvendësim nga frika se ndonjë gol i mundshëm i tij mund të kishte pasoja për shokët e skuadrës apo familjet e tyre. Federata ka bërë me dije se ka hapur një hetim për këtë çështje.





