Kreu i Grupit Parlamentar demokrat Gazment Bardhi foli mbi korrupsionin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku gjatë mbledhjes së sotme në Komitetin e Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me BE-në.
Bardhi u shpreh se mazhoranca e mbrojti Ballukun nga arrestimi duke iu bërë mburojë ndaj SPAK-ut.
Sakaq, theksoi se në vetëm 3 muaj u zbuluan 2 vila super luksoze të Ballukut në jug të vendit, në këmbim të caktimit të fituesit për dy tenderë.
Bardhi: Doja të ndalem te rasti i ish zv.kryeministres Belinda Balluku. Ishte Kuvendi që nuk e mbajti përgjegjësinë, por e mbrojti nga arrestimi duke mos i hequr imunitetin me argumentin se nuk është e korruptuar por vetëm ka abuzuar me pushtetin. SPAK na paraqet një tjetër pasqyrë. 11 ditë më parë SPAK njoftoi se zbuloi një tjetër rast korrupsioni të Belinda Ballukut. Një tender publik në këmbim të një super vile luskoze në një nga plazhet luksoze të jugut.
Vetëm në 3 muaj janë zbuluar 2 vila super luksoze në këmbim të caktimit të fituesit të dy tenderëve. Prej përplasjes me Kuvendin, sot SPAK nuk ka paraqitur një kërkesë të re edhe pse ndaj deputetes Belinda Ballukut rëndojnë akuza të rënda. Dy akuza për korrupsion, dy akuza për pastrim parash, 8 akuza për shkelje të barazisë në tenderë. Nuk ka pendesë, asnjë distancim nga korrupsioni i saj. Me firmë të kryeministrit në Kuvend qëndron një projekt ligj që forcon imunitetin për ministrat dhe i ngushton hapësirën proceduriale SPAK-ut. Dua ta them qartë nuk është detyrë e politikës të shpallë fajtorë, por detyrë e parlamentit të kërkojë transparencë. Të japë mesazh të qartë se e mbështet luftën ndaj korrupsionit. Dhe se nuk mbështet asnjë zyrtar të korruptuar.





