Kryeministri Edi Rama e ka nisur vizitën disa ditore në Shtetet e Bashkuara me një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, përpara pjesëmarrjes në aktivitetet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Në fjalën e tij, Rama e vendosi theksin te roli i diasporës, integrimi europian, zhvillimi ekonomik dhe projektet që qeveria synon të ndërmarrë për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Një nga njoftimet kryesore të takimit ishte gatishmëria e qeverisë për hapjen e një konsullate shqiptare në Michigan, me synimin për të ofruar shërbime konsullore më pranë komunitetit shqiptar në këtë shtet.
Rama e hapi fjalimin me një referencë simbolike për flamingot, duke kujtuar se vite më parë një prej tyre ishte regjistruar për herë të parë si vizitor në Michigan.
Ai e lidhi këtë me debatet që kanë shoqëruar flamingot në Shqipëri dhe tha se ndryshimi i mënyrës si reagojnë qytetarët ndaj këtyre çështjeve tregon një shoqëri që kërkon standarde më të larta.
“Shqiptarët sot jetojnë me idenë se tani ka dhe më mirë”, u shpreh kryeministri.
Një pjesë të konsiderueshme të fjalimit ia kushtoi diasporës, për të cilën tha se nuk duhet parë vetëm si burim remitancash, por si një rrjet njerëzish që mbajnë lidhje të vazhdueshme me vendin.
Sipas tij, në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030”, po ndërtohet Regjistri Kombëtar i Diasporës, i cili do të shërbejë si një pikë unike lidhjeje mes shtetit dhe shqiptarëve jashtë vendit.
Rama u ndal edhe te ekonomia dhe transporti ajror, duke deklaruar se aeroporti i Tiranës po shënon ritmin më të lartë të rritjes në rajon dhe se ka tejkaluar Beogradin për numrin e pasagjerëve.
Në planin ndërkombëtar, ai tha se Shqipëria ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, me objektivin që procesi të përfundojë deri në vitin 2030. Ai përmendi gjithashtu organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Shqipëri, duke e cilësuar si tregues të rolit më të madh ndërkombëtar të vendit.
Gjatë bashkëbisedimit me diasporën, Rama komentoi edhe vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai tha se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Kosovës, ndërsa theksoi se institucionet e Kosovës janë ato që duhet të vendosin mënyrën e reagimit ndaj këtij vendimi.
Ndërkohë, jashtë hotelit ku zhvillohej aktiviteti u mblodh një grup prej rreth 20 protestuesish, të cilët mbanin pankarta dhe hodhën thirrje si “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”. Protesta u zhvillua pa incidente.
Takimi u mbyll me një moment simbolik, kur fëmijët e shkollës shqipe në Michigan i dhuruan kryeministrit një punim me dedikim dhe firmat e tyre, ndërsa disa prej tyre ishin veshur me kostume tradicionale shqiptare.





