Kryeministri Edi Rama e ka përqendruar fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara te zhvillimi i Inteligjencës Artificiale dhe pasojat që mund të sjellë përdorimi i saj nga shtetet apo aktorë të tjerë.
Rama e krahasoi ndikimin e Inteligjencës Artificiale me zhvillime teknologjike që kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si njerëzimi përballet me konfliktet dhe kërcënimet.
Sipas tij, ndërsa baruti ndryshoi mënyrën e zhvillimit të betejave dhe fisioni bërthamor solli një koncept të ri për mbijetesën njerëzore, IA po prek një dimension më të drejtpërdrejtë: mënyrën se si njerëzit perceptojnë realitetin.
“Baruti ndryshoi betejat, fizioni bërthamor ndryshoi kuptimin e mbijetesës njerëzore, ndërsa IA po ndryshon diçka më intime, që mund të hyjë në mendjen e qytetarit, të fabrikojë një realitet, që të kalibrohet sipas frikërave të një personi dhe duke e bërë miliona e miliona herë.”
Kryeministri solli në vëmendje edhe eksperiencën e Shqipërisë me përdorimin e Inteligjencës Artificiale, duke thënë se vendi nuk është në pararojë të teknologjisë, por po përballet me një realitet që pjesë të tjera të botës ende po e diskutojnë.
“Shqipëria nuk është në pararojë. Ne jemi një komb që po e jetojmë të ardhmen, të cilën shumë po e debatojnë”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, kryeministri veçoi atë që e konsideron si rrezikun kryesor të kësaj teknologjie.
“Rreziku më i madh nuk është se IA do të ndalojë njerëzimin, por rreziku është që mund të bindë njerëzit e gabuar”, deklaroi ai.
Rama paralajmëroi gjithashtu për mundësinë që Inteligjenca Artificiale të përdoret për manipulimin e debatit publik, për përhapjen masive të informacionit të rremë dhe për t’u vënë në shërbim të interesave shtetërore apo ushtarake.
“Debati publik zgjon makina që zgjojnë ambicie dhe që kthehen kundër krijuesit dhe, në fakt, ai u shërben ambicieve të të tjerëve. Nuk mban flamur, por mund të përdoret nga një shtet. Mund të thotë miliarda gënjeshtra në emër të të tjerëve. Makineria nuk ka ndërgjegje, por mund të futet në ndërgjegjen e një qeverie, në precizionin e një arme”, tha Rama.





