Në Malibu, Oqeani Paqësor shkaktoi një gropë të madhe pranë shtëpisë së yllit të kinemasë Nicolas Cage dhe shkaktoi dëme të mëdha në pronat buzë detit. Përgjatë rrugës “Beach Road” në qytetin Dana Point, valët shkatërruan një shtëpi dhe detyruan autoritetet të urdhëronin evakuimin ose të kufizonin banimin në 16 shtëpi të tjera.

Dëme të tilla në të gjithë Kaliforninë Jugore këtë verë u shkaktuan nga një seri ciklonesh dhe uraganesh në Paqësorin Lindor, të fuqizuara nga fenomeni meteorologjik i njohur si El Niño. Edhe pse uraganet nuk goditën drejtpërdrejt tokën në Kaliforni, ato krijuan valë të fuqishme që përplaseshin me bregdetin, duke transformuar një vijë bregdetare që është po aq pjesë e identitetit të Kalifornisë sa edhe Hollywood-i apo Silicon Valley.

Ekspertët thonë se valë edhe më të fuqishme mund të vijnë në muajt e ardhshëm, kur ciklet natyrore të motit, të intensifikuara nga ndryshimet klimatike, mund të përkojnë me nivelet më të larta të baticës.

Të lidhura
Kalifornia në flakë, mijëra hektarë të djegura
“Gjithçka tregon se për Kaliforninë do të jetë padyshim një dimër i pazakontë. Kjo ndodh për disa arsye. Së pari, temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësorin Lindor, përgjatë bregdetit tonë, janë më të lartat e regjistruara ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Dhe tani, me formimin dhe intensifikimin e fenomenit “El Niño”, situata po krijon kushtet për një nga ngjarjet më të fuqishme të këtij lloji që kemi përjetuar ndonjëherë. Parashikimet aktuale tregojnë se ka 75% gjasa që ky të jetë fenomeni më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë, dhe mbi 90% gjasa që të renditet ndër më të fuqishmit – konkretisht, ndër tre ose katër më të mëdhenjtë e 75 viteve të fundit”, deklaroi eksperti i klimës, Patrick Barnard.

Kalifornia shpalli paraprakisht gjendjen e emergjencës për të ndihmuar në mobilizimin e ndihmës për fatkeqësitë dhe të ekipeve të reagimit të shpejtë, në përgatitje për probleme të mëtejshme nga El Niño. Ky fenomen pritet të shfaqë efektet e tij më të mëdha deri në fund të vitit dhe në fillim të vitit 2027.

El Niño ndodh çdo disa vite, kur ujërat sipërfaqësore në pjesën qendrore dhe lindore të Oqeanit Paqësor tropikal ngrohen në mënyrë të pazakontë, duke ndryshuar qarkullimin atmosferik dhe motin në mbarë botën.

Niveli i detit në Kaliforninë Jugore është rritur me 20 deri në 30 centimetra gjatë shekullit të kaluar. Një fenomen i fuqishëm El Niño mund ta rrisë përkohësisht nivelin e detit me 15 deri në 30 centimetra të tjera. E lidhur me fenomenin El Niño është vala nënujore Kelvin, e cila mund të shtojë përkohësisht rreth 15-30 cm në nivelin e detit. Vala e parë e madhe Kelvin e fenomenit aktual El Niño pritet të arrijë në Kaliforni në fillim të tetorit, sipas Michael Jacox, një oqeanograf në Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të Shteteve të Bashkuara.

Efektet mund të përkojnë me baticat jashtëzakonisht të larta sezonale (“king tides”), të cilat ndodhin gjatë fazës së intensifikimit të baticave në ciklin hënor 18,6-vjeçar. El Niño mund të shkaktojë gjithashtu stuhi të fuqishme shiu, të njohura si “lumenj atmosferikë”, të cilat shpesh përmbytin zonat bregdetare dhe shkaktojnë erozion në shkëmbinjtë bregdetarë.

Vijë bregdetare përgjithësisht e pjerrët e Kalifornisë i ka mbrojtur deri më tani banorët nga përmbytjet kronike që vërehen në zonat bregdetare të ulëta gjetkë në botë.

Adam Young, një gjeomorfolog bregdetar nga Instituti i Oqeanografisë Scripps në Universitetin e San Diego, tha se erozioni në vijën bregdetare ka ndodhur prej mijëra vitesh. Problemi, sipas Young, në të vërtetë qëndron te fakti se janë ndërtuar struktura që pengojnë rrjedhën natyrore, si dhe mbi plazhe e në zona të rrezikshme.