Kryeministria u është përgjigjur me e-mail gjyqtarëve dhe prokurorëve pas refuzimit të tyre për të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga kryeministri Edi Rama për pagat në drejtësi.

Në e-mail u bëhet me dije përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë se shkaqet e paraqitura prej tyre për mospjesëmarrjen në takim janë vlerësuar.

“I vlerësojmë shkaqet e paraqitura prej jush dhe mbetemi të hapur për të vijuar dialogun në një moment të dytë”, thuhet në email.

Komunikimi është dërguar nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë.

Përfaqësuesit e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë refuzuar pjesëmarrjen në tryezën e thirrur nga Rama, ndërsa më herët edhe Gjykata e Lartë kishte njoftuar se nuk do të merrte pjesë.

Ata shprehen se në dialog do të marrin pjesë vetëm pasi të flasë Gjykata Kushtetuese, pasi çështjen e pagave e kanë çuar tashmë në këtë ‘derë’.