Shoqëria “Rajan 2007” ka reaguar menjëherë pas deklaratës së sotme të kreut të Organizatës së Menaxhim Peshkimit, Qemal Beu, i cili deklaroi për mediet se furnizohej 6 muajt e fundit me naftë nga një kompani fantazmë.

Në reagimin e saj, administratorja e shoqërisë “Rajan 2007”, Luljeta Berisha e konsideron absurde deklaratën e Beut, sepse djali i kreut të OMP-së ka një kontratë me shoqërinë e saj, për më tepër që i detyrohet në shumën 36 milionë lekë të vjetra.

“Përsa i përket intervistës absurde të z.Qemal Beu, po ju vë në dispozicion kontratën që ka djali i tij z. Emirjan Beu me subjektin që unë administroj. Nuk e di se si mund të pretendojnë që jemi shoqëri fantazëm, kur djali i tij ka një kontratë me ne dhe mbi të gjitha i detyrohet shoqërisë një shumë të konsiderueshme të palikujduar (36 milionë lekë të vjetër)”,- thotë Luljeta Berisha për DurrësLajm, ndërsa vë në dispozicion edhe dokumentin që vërteton shumën e palikujduar.

Duke u ndalur tek furnizimi i anijeve të peshkimit me naftë, Berisha shprehet se në asnjë rast ata nuk kanë lidhur kontratë me shtetin, për të pasur monopolin në treg.

“Përsa i përket furnizimit të anijeve të peshkimit është i lirë kushdo subjekt që ka naftën për anijet e peshkimit që t’i furnizojë. Në asnjë moment ne nuk kemi lidhur një kontratë me shtetin, ku të kemi monopolin e furnizimit me naftë. Ne jemi një subjekt importues, siç janë dhe subjektet e tjera importuese që operojnë në zonën e Porto Romanos”,- thotë administratorja e kompanisë “Rajan 2007”.

Deklaratën e ditës së sotme të Beut, Berisha e konsideron të gënjeshtërt dhe sipas saj gjithçka bëhet për shkak të detyrimit shumë milionësh që kreu i OMP-së ka ndaj kompanisë që ajo administron.

“Gjithçka që bëri sot Qemal Beu është vetëm një reagim i gënjeshtërt. E gjithçka na çon ne si shoqëri të mendojmë se ky zotëri bën një veprim të tillë për shkak të detyrimit që ka ndaj nesh. Po ju vë në dispozicion dokumentet përkatëse , sepse ne si shoqëri po flasim me fakte konkrete, me dokumenta, ndërsa Qemal Beut, ndoshta i duket vetja bej e mendon se me mashtrime e gënjeshtra të tilla në media do fshehë të vërtetën”,- e mbyll deklaratën e saj Luljeta Berisha.

Reagimi i plotë:

Ne si shoqëri, pasi dëgjuam intervistën e Drejtorit të OMP-së, zotit Qemal Beu, menduam të reagojmë ndaj mashtrimeve të tij.

Ne jemi shoqëria aksionere “Rajan 2007”, që zhvillojmë aktivitetin tonë në bazë të legjislacionit shqiptar. Shoqëria jonë operon në treg me dy licencat e saj, siç dhe po jua vë në dispozicion me foto. Në asnjë moment që nga krijimi e deri sot, shoqëria jonë nuk ka marrë një tender të vetëm nga shteti. Marrëdhënia jonë është private me individin. Paguajmë të gjitha taksat dhe detyrimet që rrjedhin me krijimin dhe regjistrimin e shoqërisë në QKL. Kjo është shumë lehtë e verifikueshme dhe në sistemet online dhe nga ju si media.

Përsa i përket intervistës absurde të z.Qemal Beu, po ju vë në dispozicion kontratën që ka djali i tij z. Emirjan Beu me subjektin që unë administroj. Nuk e di se si mund të pretendojnë që jemi shoqëri fantazëm, kur djali i tij ka një kontratë me ne dhe mbi të gjitha i detyrohet shoqërisë një shumë të konsiderueshme të palikujduar (36 milionë lekë të vjetër).

Përsa i përket furnizimit të anijeve të peshkimit është i lirë kushdo subjekt që ka naftën për anijet e peshkimit që t’i furnizojë. Në asnjë moment ne nuk kemi lidhur një kontratë me shtetin, ku të kemi monopolin e furnizimit me naftë. Ne jemi një subjekt importues, siç janë dhe subjektet e tjera importuese që operojnë në zonën e Porto Romanos.

Gjithçka që bëri sot Qemal Beu është vetëm një reagim i gënjeshtër. E gjithçka na con ne si shoqëri të mendojmë se ky zotëri bën një veprim të tillë për shkak të detyrimit që ka ndaj nesh.

Po ju vë në dispozicion dokumentet përkatëse , sepse ne si shoqëri po flasim me fakte konkrete, me dokumenta, ndërsa Qemal Beut, ndoshta i duket vetja bej e mendon se me mashtrime e gënjeshtra të tilla në media do fshehë të vërtetën.

Me respekt

Administratoria e shoqërisë “Rajan 2007”

Luljeta Berisha