Më datë 17 prill, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës iu drejtua bashkisë me një shkresë zyrtare, ku kërkonte nga pushteti vendor anulim taksash dhe tarifash lokale për bizneset e mbyllura, sipas urdhrit nr.193, datë 20.03.2020, ulje me 20% të taksave dhe tarifave vendore për vitin 2020 për të gjitha bizneset pa përjashtim, shtyrje të afatit të pagesës për 6-mujorin e dytë për të gjitha bizneset dhe përjashtimin e bizneseve të turizmit dhe transportit të udhëtarëve nga taksat për vitin 2020 (në fund të shkrimit kërkesa zyrtare e Dhomës së Tregtisë).

DurrësLajm u interesua pranë bashkisë për të mësuar më shumë mbi këtë çështje dhe nëse pushteti lokal do të marrë parasysh ndonjë nga kërkesat e Dhomës së Tregtisë, për t’i miratuar më pas në mbledhjen e radhës së KB-së.

Zyrtarisht na u komunikua se përveç vendimit të miratuar nga Këshilli Bashkiak më datë 9 prill ku u shty nga 20 prill në 30 qershor afati i pagesës së tarifave vendore për të gjitha bizneset e mbyllura, nuk pritet të ketë lehtësira të mëtejshme për biznesin.

“Ne e shtymë me më shumë se 2 muaj pagesën e tarifave vendore për bizneset e mbyllura. Të ardhurat e bashkisë lidhen pazgjidhshmërisht me pagesën e taksave dhe tarifave lokale. Nuk mund të plotësojmë kërkesat e Dhomës së Tregtisë, pasi në të kundërt do të falimentonin financat e pushtetit vendor. Duhet të kujtojmë gjithashtu se bashkia e Durrësit renditet ndër njësitë e pushtetit vendor me taksat dhe tarifat më të ulta në rang republike. Krahas pagesës së ulët, aplikojmë gjithashtu më pak taksa sesa shumë bashki të tjera të vendit”, – deklaroi zyrtarisht bashkia e Durrësit.

Përveç shtyrjes së pagesës për bizneset e mbyllura, bizneset e tjera nuk mund të përfitojnë asnjë shtyrje apo ulje taksash lokale.

Pandemia Covid-19 ishte goditja e dytë e fortë për biznesin durrsak në një hark shumë të shkurtër kohor. Pas dëmeve të shumta që iu shkaktuan nga tërmeti i 26 nëntorit, bizneset po vuajnë masat kufizuese për shkak të koronavirusit që shoqërohen me uljen e klientelës dhe për pasojë uljen e xhiros.

Mbyllja për rreth 6 javë për shumë prej tyre përkthehet në rënie të ardhurash, ku më i dëmtuari është biznesi i vogël. Mijëra ekonomi familjare varen drejtpërdrejt nga xhiroja mujore, ndërkohë që shumë prej tyre deklarojnë se nuk kanë përfituar ende as nga paketa e parë e ndihmës, e akorduar nga qeveria Rama.

M.B.