Mbrëmjen e së hënës, lajmi i ndarjes nga jeta të arkitektit të njohur, Hajdar Kovaçi, tronditi të gjithë familjarët, miqtë dhe të njohurit e shumtë të intelektualit durrsak.

Në pamundësi për të marrë pjesë në ceremoninë mortore, për shkak të masave strikte prej pandemisë Covid-19, qytetari i nderuar i Durrësit, njeriu që gëzonte respektin e të gjithë atyre që e njohën nga afër do të përcillet me duartrokitje, gjatë kalimit të arkivolit në sheshin “Liria”, në Durrës.

Udhëtimi drejt banesës së fundit për Kovaçin do të nisë në orën 12.45, kur edhe pritet që arkivoli me trupin e të ndjerit të përshkojë sheshin qendror të Durrësit.

Intelektuali Hajdar Kovaçi humbi mbrëmë betejën e tij me Covid-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ku ishte i shtruar prej mëse 3 javësh, në gjendje të rënduar shëndetësore, me insuficience respiratore akute.

“73-vjeçari vuante nga pneumonia bilaterale, detres i rëndë respirator (ARDS), me sëmundje bashkëshoqëruese Talasemi Minor dhe  Hipertension Arterial. Megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit mjekësor në terapinë intensive, 73-vjeçari nuk arriti të mbijetojë”,- bënte të ditur Ministria e Shëndetësisë në një njoftim për shtyp.