Fillimi i javës së fundit të muajit prill ka përkuar me hapjen e subjekteve të biznesit të vogël në Durrës, përveç bar-kafeneve dhe restoranteve, duke i kthyer disi jetën dhe gjallërinë qytetit bregdetar.
Moti i ngrohtë por edhe hapja e dyqaneve ka bërë që qytetarët të dalin në rrugë që në orët e para të mëngjesit.
Ata thonë se hapja e bizneseve duhej të ishte bërë më herët pasi pasojat janë të rënda në ekonomitë familjare dhe të bizneseve, të cilët janë të bllokuar që prej 10 marsit.
Qytetarët thonë se vala e papunësisë është rritur pasi për më shumë se 6 javë në mbrojtje nga përhapja e koronavirusit bizneset kanë nxjerrë qindra persona nga puna.
Edhe këtë të hënë qytetarët që kanë dalë janë munduar të ruajnë distancimin social, edhe pse në shumë raste është e pamundur pasi trotuaret kanë qenë plot me njerëz, të cilët janë në kërkim të nisjes së aktivitetit normal të jetës.
K.H.





