Pas dështimit të tenderit të rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, anulohet dhe projektimi i shkollave në kryeqytet. Vendimi bëhet i ditur përmes agjencisë së prokurimeve publike vetëm 3 ditë pas shembjes së Sami Frashërit.
Tre ditë më parë bashkia e Tiranës vendosi shembjen e shkollës “Sami Frashëri”, duke deklaruar nisjen e procesit të rindërtimit.
Pavarësisht kësaj në Agjencinë e Prokurimeve Publike bëhet e ditur anulimi i tenderit për studimin dhe projektimin e ndërtesës së re. Vetëm për këtë fazë bashkia e kryeqytetit ka parashikuar të shpenzojë 3 milionë e gjashtëqind mijë lekë pa tvsh.
Por në Agjencinë e Prokurimeve Publike argumentohet se asnjë nga kompanitë që shprehën interes nuk plotësonte kriteret.
Në total është anuluar tenderi për studimin dhe projektimin e 10 shkollave me një vlerë prej 14 milionë lekësh pa tvsh. I njëjti veprim është bërë dhe për projektimin e 5 objekteve të tjera të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit me një vlerë prej 7.4 milionë lekësh
Më parë u bë e ditur dhe anulimi i tenderit për rindërtimin e banesave një katëshe për familjet e dëmtuara nga tërmeti.





