Ndalesa e fundjavës së “Koncert në karantinë” ishte lagjja nr.18, blloku i pallateve pranë ish-fabrikës së makaronave. Prej mëse 3 javësh, këngëtarët durrsakë janë zhvendosur në lagje të ndryshme të Durrësit, madje një ditë koncerti u organizua në sheshin qendror të Shiijakut.

Sipas nismëtarit Ardi Omeri, ndalesa e sotme ishte e fundit, ndërsa koncerti i radhës pritet të mbahet në fundjavë, në varësi edhe të situatës së pandemisë Covid-19.

Performancat e këngëtarëve Reshit Gjini, Dhimitër Stefa, Kosta Bonshi, Hysni Alushi, Julieta Strefi, Alban Kamenica, Dashamir Mehmeti, Astrit Serjani dhe mjeshtrit të humorit Edmond Halili u përshëndetën me duartrokitje nga banorët, shumë prej të cilëve i përkasin familjeve në vështirësi ekonomike në qytetin bregdetar.

Gjatë koncertit, krahas tingujve të muzikës dhe notave të humorit nuk mungoi edhe buzëqeshja e disa fëmijëve të mitur që iu gëzuan librave të dhuruar falë donacioneve të qytetarëve të ndryshëm dhe shkrimtarëve Enton Bido, Viktor Canosinaj, Brunilda Zllami dhe Rudina Çupit.

Për më shumë se 3 javë me radhë, koncerti një orësh i këngëtarëve durrsakë dhuroi momente të bukura dhe të paharrueshme për banorët e izoluar, që i ndoqën ata nga ballkonet, dritaret apo taracat e pallateve. Nisma e poetit Ardi Omeri i kaloi kufijtë e Durrësit dhe koncerte të ngjashme nisën të zhvilloheshin në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

*Fotot dhe pamjet filmike studio Adi Domi