Edhe këtë të shtunë, qyteti i Durrësit është tërësisht i pensionistëve deri në orën 11:00, njësoj si fundjavën e kaluar që nga izolimi për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Siç duket në videon e publikuar nga “DurrësLajm”, të moshuarit kanë shfrytëzuar ditën e sotme dhe motin e mirë për të dalë shëtitje në shëtitoren “Taulantia” dhe në sheshin “Liria”.
Me maska mbrojtëse në fytyrë, një numër i madh të moshuarish kanë shijuar zhurmën e dallgëve të detit në Vollga të ulur në dërrasat e shëtitores apo shkallët e Sfinskit.
Duke ruajtur distancën nga të tjerët, ata ecin krah për krah me bashkëshortet apo mikeshat në rërën e bregdetit të kësaj zone.
Kryeministri Edi Rama tha dje pasdite se sërish gjyshërit dhe të moshuarit do të kenë mundësi të lëvizin, vetëm, deri në orën 11:00.
Por të gjithë qytetarët e tjerë nuk mund të dalin deri të hënën pasi asgjë nuk është e hapur, as dyqane e as farmaci.





