Paraditen e some u mblodh në Prefekturën e Durrësit Shtabi Koordinues i Qarkut, i ngritur për menaxhimin e situatës së pandemisë COVID-19, në përbërje të të cilit janë prefekti Roland Nasto, përfaqësues të pushtetit vendor nga tre bashkitë e Qarkut Durrës dhe përfaqësues nga drejtoritë rajonale.

Gjatë fjalës së tij, drejtuesi i këtij Shtabi, prefekti Roland Nasto vlerësoi bashkëpunimin midis institucioneve për koordinimin e punës për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Nasto nënvizoi faktin se nisur nga rastet e fundit në rrethin e Krujës, vëmendja e strukurave shtetërore është përqëndruar në këtë bashki, ku është intensifikuar puna për të shkëputur zinxhirin infektues dhe për të vënë nën kontroll situatën.

“Që nga nisja e pandemisë COVID-19 në të gjithë qarkun janë shpërndarë rreth 9 mijë pako ushqimore dhe me detergjent për familjet në nevojë, pensionistët e vetmuar, të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit etj..” ,tha Nasto.

Ndërkohë nënkryetari i Bashkisë së Krujës, Ilir Loci duke u ndalur te problematikat e bashkisë që ditët e fundit është shndërruar në një nga vatrat më të nxehta në vend të përhapjes së COVID-19 vuri theksin në kontrollet e shtuara te fasonet ndërsa është marrë masa për mbylljen e dy tregjeve të qytetit.

Sipas nënkryetarit Loci situata në këtë qark percipitoi edhe për shkak të mos distancimit social në zonat rurale të Bashkisë Krujë.

Nënkryetari i Bashkisë Durrës, Florian Tahiri deklaroi gjatë mbledhjes se që nga fillimi i pandemisë puna e bashkisë është përqëndruar në dezinfektimin e të gjitha hapësirave publike nga punëtorët e NSHK-së.

“Paralelisht me dezinfektimin e hapësirave publike përgjatë gjithë kësaj kohe është bërë dezinfektimi edhe në institucionet publike si; spital, qendra shëndetësore, polici, hotelet ku po karantinohet të riatdhesuarit etj.. Mbyllja e dy tregjeve industrial dhe mirëmenaxhimi dhe kontrolli i shtuar në dy tregjet agro-ushqimore të qytetit, atë të pakicës dhe shumicës ka bërë që situata e COVID-19 në bashkinë e Durrësit të mbahet nën kontroll”, tha Tahiri.

Gjatë mbledhjes, drejtoresha e komanduar e filialit të Postës Shqiptare Durrës, Floreta Çopa deklaroi se sfidë për institucionin qëajo drejton mbetet menaxhimi i radhëve të përfituesve të ndihmës ekonomike.

Drejtoresha Çopa nënvizoi se punonjësit e postës, sidomos postierët janë pajisur me maska, doreza, dezinfektantë për të mbrojtur shëndetin e tyre në radhë të parë dhe të personave ku dorëzojnë pensionet nëpër banesa.

Gjatë këtyre 6 javëve të izolimit vëmëndje i është kushtuar nga Inspektoriatet e ndryshme edhe kontrollit të sigurisë ushqimore

Në raportimin e tij, drejtori i AKU-së Durrës, Manush Kullolli deklaroi se kontrolle të shumta janë ushtruar gjatë kësaj kohe në portin e Durrësit ku kanë mbërritur 2200 ngarkesa me ushqime/medikamente etj., duke garantuar kështu furnizimin normal të popullatës.

Sipas Kullollit gjatë ditëve të fundit janë ushtruar 154 kontrolle me check-listën e re në subjekte tregtare si baxho, dyqane bylmeti, peshku, magazine ushqimore, pastiçeri, furra buke etj., ku janë kontrolluar kushtet higjieno-sanitore, respektimi i distancës mes punonjësve dhe klientëve, përdorimi i masave mbrojtëse nga ana e stafit etj.

Gjatë këtyre 45 ditëve izolim, një hallkë e rëndësishme e punës së institucioneve ka qenë edhe garantimi i rendit dhe sigurisë publike.

Lidhur me këtë, drejtori i Policisë së Qarkut Durrës, Lorenc Shehu vlerësoi koordinimin e mirë të punës mes institucioneve shtetërore dhe vlerësoi si normale situatën e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë qarkun.

“Nuk kemi patur vepra të rënda penale gjatë kësaj periudhë. Një vëmendje e shtuar e forcave të policisë ka qenë në ceremonitë mortore, monitorimin e personave të kthyer nga jashtë, të karantinuar në shtëpi apo hotele etj..”, tha Shehu.

Ndërsa kreu i Policisë Bashkiake, Vasip Çopa deklaroi gjatë mbledhjes se vëmendja e efektivëve të Policisë Bashkiake ka qenë më së shumti e përqëndruar në dy tregjet agro-ushqimore si dhe ato të improvizuara te stadiumi dhe Muzeu i Dëshmorëve.

Sipas tij, nëse nuk do të ishte menaxhuar disiplinimi i këtyre tregjeve ato rrezikonin të ktheheshin në vatra aktive të shpërndarjes së koronavirusit në Durrës.