Bashkia e Durrësit mbetet serisht pa një kryetar, pasi Zhuljen Varfaj, kryetari i komanduar është dorëhequr për arsye shëndetësore.

Sipas burimeve, “DurrësLajm” mëson se Varfaj nuk do të qëndrojë as në pozicionin e zëvendëskryetarit, ndërsa pritet që ky ndryshim të konfirmohet zyrtarisht nga bashkia. Ai e mori këtë detyrë në datën 1 dhjetor 2019, pas dorëheqjes së Valbona Sakos si kryebashkiake e Durrësit.

Po sipas të njëjtave burime, siç është paralajmëruar dhe më herët, pritet që në krye të bashkisë Durrës të zgjidhet Emirjana Sako, e cila më herët ka mbajtur postin e Drejtores së Shërbimeve dhe prej rreth 2 muajsh është emëruar zv. kryetare e Bashkisë.

Që pas tërmetit të 26 nëntorit dhe dorëheqjes së ish-kryebashkiakes Valbona Sako dhe ish-nënkryetares Etleva Kondi, bashkia e qytetit bregdetar mbeti vetëm me dy nënkryetarë (Florian Tahiri dhe Arbër Braho), ndërsa Zhuljen Varfaj u votua në Këshillin Bashkiak kryetar në detyrë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të parakohshme në Durrës.  

Po kush është nënkryetarja e re e bashkisë Durrës Emirjana Sako?

DurrësLajm po i referohet CV-së të zonjës Sako, të publikuar në faqen zyrtare të bashkisë.

Emiriana Sako është me profesion arkitekte dhe prej rreth 11 vitesh është pjesë e stafit të bashkisë. Në periudhën 2009-2015, ajo ka punuar si specialiste në Drejtorinë e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Nga viti 2015-2018 ka mbajtur postin e Drejtorit të Shërbimeve Publike, ndërsa nga 2018 e deri në shkurt 2020 ka qenë Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Punëve Publike në bashki.

Sako është diplomuar për arkitekturë në Fakultetin e Inxhinierisë Civile në Tiranë ku ka ndjekur edhe masterin shkencor, ndërkohë që ka ndjekur një master profesional në një universitet në Romë, Itali.

Ajo gjithashtu ka dhënë kontribut në ndërtimin e projekteve të rëndësishme në qytet si Sheshi “Liria”, Sfinksi, Veliera etj, disa prej të cilave të kundërshtuara nga opozita apo opinioni publik.

Përsa i përket gjuhëve të huaja, Sako shkruan në CV-në e saj “Aftesi komunikuese dhe marrëdhënie ndërpersonale shumë të mira, specifikisht në ambiente të shkëmbimit kulturor, aftësi për të folur gjuhë të huaja anglisht, italisht, frëngjisht.”