Ndalesa e radhës e “Koncert në karantinë” në Durrës ishte në zonën e Plazhit në lagjen nr.13, ku banorët e kësaj lagjeje, që është dhe një nga më të prekurat nga tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, iu gëzuan performancës një orëshe të artistivë durrsakë. Ashtu siç tha dhe organizatori i koncertit Ardi Omeri, pikërisht për të dhënë mesazhin e shpresës se ne do të mbijetojmë dhe do ja dalim mbanë, u zgjodh kjo zonë.

Performancat e këngëtarëve Reshit Gjini, Dhimitër Stefa, Kosta Bonshi, Hysni Alushi, Julieta Strefi, Alban Kamenica, Dashamir Mehmeti, Astrit Serjani dhe mjeshtrit të humorit Edmond Halili u përshëndetën të shtunën me duartrokitje nga banorët, të cilët shpesh shpalosnin edhe flamujt kombëtarë nga dritaret apo ballkonet e apartamenteve të tyre. 

Për dy javë me radhë, me stacione në zona të ndryshme anekënd Durrësit, këngëtarët dhe humoristët kanë krijuar një atmosferë festive për banorët e izoluar prej 5 javësh në shtëpitë e tyre prej pandemisë Covid-19.  

Nisma e poetit Ardi Omeri është mirëpritur nga të gjithë, ndërkohë që koncerte të ngjashme kanë nisur të organizohen edhe në qytete të tjera të vendit.

(*Pamjet flimike nga studio Adi Domi)