Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga emigrantët që të ndimojnë financiarisht qeverinë për ta luftuar koronavirusin.

Në një video të postuar në Facebook, Kurti ka njoftuar se qeveria ka hapur një llogari të posaçme, dedikuar menaxhimit të pandemisë.

Të gjitha mjetet, sipas tij, do të shkojnë në mbështetje të të gjitha aktiviteteve të ministrive, të cilat kanë nevojë financiare shtesë për ta zvogëluar ndikimin e pandemisë në sektorin e caktuar.

“Të dashur bashkatdhetarë, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë, ju bëj thirrje që edhe këtë herë të bëheni pjesë e solidaritetit, ndoshta më shumë se kurdoherë më parë, dhe të na ndihmoni në luftën kundër COVID-19. E kemi parasysh që pandemia ju ka prekur edhe juve në mërgim edhe të afërmit tuaj në Kosovë. Mirëpo, si gjithnjë, kur kemi qëndruar së bashku, edhe këtë herë do t’ia dalim së bashku”, ka thënë Kurti.

Në Kosovë aktualisht janë të infektuar 283 persona me koronavirus. Deri më tani, 58 janë shëruar dhe shtatë kanë vdekur.