Veliera luksoze “Maltese Falcon” është ankoruar mëngjesin e sotëm në kalatën nr.5 të portit të Durrësit.
Jahti superluksoz ka zgjedhur portin më të madh në vend për t’u furnizuar me karburant, ujë dhe ushqime, por asnjë nga personat në bord nuk mund të zbresë në kalatë.
Në kuadër të masave të rrepta të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, Drejtoria e Përgjithshme Detare urdhëroi një ditë më parë 4 kapitaneritë e porteve të Shqipërisë që anijet krocera dhe jahtet të lejoheshin të qëndronin në port apo radë vetëm për t’u furnizuar, në mënyrë që të mos bllokonin kalatat për anijet tregtare të furnizimit të mallrave.
INFO
Veliera Maltese Falcon është ndërtuar në kantierin detar Perini Navi në Tuzla, Stamboll, e porositur nga pronari i saj i parë, Tom Perkins.
Veliera është një nga jahtet më të mëdha në botë me vela, e gjatë 88 metra.
Ajo është marrë me qira nga aktorë të famshëm hollivudianë si Tom Hanks apo Hugh Jackman, bashkëthemeluesi i Google, Larry Page etj.