Merr një tjetër rrjedhë hetimi për vrasjen e Pëllumb Metës. Teksa grupi hetimor me ekspertë nga policia e Durrësit dhe prokuroria vijojnë analizimin e provave për të zbuluar se kush ishte ekzekutori i tij, tre fëmijët dhe bashkëshortja e Pëllumbit që po hetohen për këtë krim, janë dërguar javën e kaluar në poligon ku janë testuar për aftësitë e tyre për të kryer qitje me pistoletë.

Ka rezultuar se Hygerta Meta ka qenë në gjendje të mbushë armën, por nuk ka arritur të qëllojë në shenjë, ndërsa Hysen Meta, për të cilin grupi hetimor beson se është ekzekutori, ka refuzuar të qëllojë duke thënë se nuk di të mbajë armë.

Eksperimentin e kanë bërë dhe Blerina Meta dhe Amarildo Meta të cilët kanë thënë se s’kanë mbajtur kurrë më parë armë në dorë.

Por në armë janë gjetur edhe shenjat e gishtave të djalit të vogël të familjes. Ky i fundit më herët kishte deklaruar se nuk ka qenë në shtëpi, kur motra dhe vëllai vranë babanë. Prokuroria madje e ngarkoi vetëm me veprën penale të Fshehjes dhe asgjesimit të kufomës.

Vajza është rikthyer në vendngjarje ku është rindërtuar skema e vrasjes dhe vajza ka treguar pozicionin ku ishte shtrirë i ati ku dhe si e ka qëlluar, trajektoret, zhvendosjen e trupit dhe varrosjen. Të dhënat e këtij eksperimenti po krahasohen me ato të perpiluara nga ekspertët gjate këqyrjes së vendit të krimit.

Hyseni nuk ka rindërtuar asnjë skemë pasi i qëndron versionit se kur ndodhi vrasja nuk ishte në shtëpi.