Meteorologia e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Besa Sherollari ka bërë parashikimin e motit për fundjavën.

Sipas saj, moti do jetë i ngrohtë dhe krijon kushte optimale për plazh, ku temperaturat do të arrijnë deri në 30 gradë.

“Vendi ynë tashmë ka prezencë të vranësirave të cilat gradualisht do ja lënë vendin kthjellimeve. Në mesditë pritet që orët me diell të jenë prezente në të gjithë vendin. Duke filluar nga dita e shtunë dhe deri në mesin e javës tjetër, pritet që vendi ynë të jetë nën ndikim të kushteve atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet të jetë kryesisht i kthjellët, por nuk do të mungojnë vranësirat e pakta kalimtare kryesisht në orët e mesditës. Përsa i përket erës pritet të jetë kryesisht nga kuadrati i veriut me një shpejtësi mesatare 5-6 m/s, por hera herës gjatë vijës bregdetare pritet të fitojë shpejtësi deri në 12m/s duke bërë që valëzimi në detet Adriatik dhe Jon të jetë i ulët, i forcës 1-2 ballë.

Përsa i përket fushës termike ditën e shtunë ne kemi një rënie të temperaturave në vlerat minimale, por orët me diell do të bëjnë një rritje të temperaturave në vlerat e mesditës, duke filluar nga dita e shtunë deri në mesin e javës tjetër, pritet që të shkojnë deri në 30 gradë celsius në zonat e ulëta dhe në bregdet.  Vlen të theksohet dhe elementi mjegull ku do jetë prezentë në orët e para të mëngjesit kryesisht përgjatë zonave luginore dhe fushore të vendit, por pas orës 9:00 mjegulla do vijë në shpërbërje”, shprehet sinoptikania Besa Sherollari për TCH.