Në prag të nisjes së fluksit të pushuesve nga Kosova në plazhin e Durrësit, autoritetet vendore nuk e kanë zgjidhur ende çështjen e qarkullimit të autobusëve me pushues në rrugën "Pavarësia".

Bllokimi i tyre një vit më parë në pikun e sezonit veror nga Policia e Qarkullimit Rrugor, e ktheu në një "boomerang" kauzën e turistëve kosovarë  të cilët paralajmëruan largimin e tyre nga bregdeti i Durrësit. Bashkia e Durrësit u tërhoq pas presionit të jashtëzakonshëm që bëri biznesi e media në të dy krahët e kufirit për vendimin i cili lejonte vetëm autobusët me turistë të huaj.

E paqartë është edhe Policia Rrugore, e cila edhe pse tabelat janë vendosur, nuk ka ndonjë urdhër apo udhëzim sesi do të veprojnë me autobusët që sjellin turistë në bregdetin e Durrësit.

Këtë vit, Shefi i Qarkullimit Rrugor në Durrës, Valentin Floriri prej disa javësh i ka dërguar shkresë autoriteteve përfshirë edhe bashkisë së Durrësit ku kërkon bllokimin e të gjithë qarkullimit për mjetet e transportit për funzimet e lokaleve, për shkak të trafikut të ngarkuar, njekohësisht kërkon që të përcaktohen vendparkimet e mjeteve të transportit publik dhe të atyre nga Kosova në zonën e plazhit.

Policia:

"Segmenti rrugor Ura dajlanit –Plepa (Plazh). Hyrja e mjeteve të shërbimit publik, në segment rrugore krijon problem në menaxhimin e trafikut. Nga ana Bashkisë Durrës , të bllokohet lëvizja e mjeteve të shërbimit publik gjatë sezonit turistik.

Në këtë segment rrugor ka shumë hyrje dhe dalje nga rrugët dytësore , dhe nuk ka sinjalsitikën përkatëse në kryqëzimet e këtyre rrugëve. Kërkohet që nga ana e Bashkisë Durrës, si Drejtoria e Shërbimeve, Drejtoria Sinjalistikës dhe Policia Bashkiake të marrin detyrimet e tyre, si para fillimit të sezonit, dhe gjatë sezonit të përcaktojë parkimet e mjeteve dhe në veçanti saktësimi dhe detyrimi i parkimit të mjeteve të transportit publik në këtë segment rrugor, ku në sezonin që kaluam ka qenë problem, segmenti Ura e Dajlanit-Plazh-Rreth-Rrotullimi i Plepave për mjetet e trasportit të ardhur nga Kosova, ku nga ana e Bashkisë së Durrësit të merren masa për të përcaktuar rrugëkalimin e këtyre mjeteve, vend qëndrimin, dhe vend parkimin.

Nga ana e drejtorisë së shërbimeve, Drejtorisë së sinjalistikës dhe Policia bashkiake e Durrësit të marrë masa për njoftimin e subjekteve që kanë lokale në segmentin Ura e Dajlanit-Plazh-Plepa. Furnizimi i lokale në këtë segment rrugor të bëhet nga ora 24 deri në orën 07 të mëngjesit."

Bashkia:

"Bashkia ka në fuqi një vendim që parashikon aplikimin e një takse për të gjitha mjetet e rënda, përfshi edhe autobusët që do të duan të sjellin turistë në zonën e plazhit, apo edhe në qytet.

Për ata që do të duan të futen për të çuar pasagjerët në hotel, taksat variojnë nga 5.000 deri në 15.000 lekë, në varësi të kapacitetit të mjetit. Bashkia i kërkon çdo shoferi, që para se të hyjë në Durrës duhet të paraqesë në bashki të dhënat e regjistrit tregtar, dëshmi penaliteti dhe vërtetim që subjekti ka shlyer detyrimet fiskale para se të marrë lejen e duhur.

Një vit më parë ka pasur edhe konfrontime me drejtues të autobusëve të Kosovës, që sillnin turistë në plazhin e Durrësit, të cilëve u janë dëmtuar mjetet dhe janë kërcënuar nga operatorët vendas, taksi, që të mos futen në rrugën e plazhit. Për këtë vit, aplikimi i kësaj takse ende nuk ka filluar."

K.H.