Socialisti Damian Gjiknuri, i cili negocio me Oerd Bylykbashin, lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tha në komisionin parlamentar të Ligjeve se koalicionet parazgjedhore lejohen sipas formatit që e lejon Kodi Zgjedhor.

Ai tha se nuk ka asnjë vend ku lejohen koalicionet sikundër ishte në Shqipëri, lokomotiva me vagona nga pas, kjo është çështjes e mbyllur.

“Koalicionet lejohen, tani që janë edhe listat e hapura mund të aplikohet, brenda atij formati. Çështja e koalicioneve sikundër ka qenë është e mbyllur, nuk kthehemi mbrapa”, tha Gjiknuri.

Lidhur me votimin elektronik, ai tha se mund të aplikohet në 5 qarqe, por edhe kjo ka një afat kohor, sepse duhet që të merren masat. “Nëse nuk realizohet, atëherë kemi letrën. Ne jemi të hapur edhe për votimin elektronik, mund ta aplikojmë në 5 qarqet kryesore”, tha ai.