Kampionati nga 10 shkurti, kur Teuta humbi me Tiranën në “Niko Dovana” është shtyrë për me 3 mars. Argumenti nxitet nga dy faktorë: së pari koha e rënduar me reshje dhe së dyti ndeshja miqësore ndërkombëtare që zhvillohet në Gjeorgji me 29 shkurt ndërmjet Shqipërisë dhe ekipit vendas. Teutës i jepet mundësia e një frymëmarrjeje, për të riparë edhe njëherë gjendjen e grupit dhe të çdo futbollisti. Aktualisht durrsakët ndodhen në vendin e parë me 2 pikë më shumë nga Tirana, 3 nga Skënderbeu dhe 7 nga Flamurtari. Distancën e mjaftueshme për t’i dhënë qetësinë e duhur të kryesueses së garës, e evitoi shumë shpejt që në faqen e parë të pjesës së dytë të librit të kampionatit. Qenia në krye në fazën e parë, me pesë pikë më shumë nga bardheblutë dhe shansi i një fitoreje të mundshme ndaj Tiranës me 10 shkurt në shtëpinë e saj, ngacmuan kujtesën e durrsakëve me 23 prill 1994. Atë ditë Teuta mundi Vllazninë në Durrës 1-0 dhe e siguroi titullin kampion, pavarësisht nga rezultati i ndeshjes së fundit me Besëlidhjen në Lezhë. Festa mori dhënë. Dhe u shtri ajo edhe në mbarë mjedisin qytetar, duke u kthyer në Durrës në kryetemën e ditës.
Por 10 shkurti e frenoi këtë ekzaltim disi të parakohshëm. Edhe më profeti nuk mund ta mendonte kurrsesi një humbje të Teutës në shtëpinë e saj, kur me 12 shtator të vitit të kaluar kishte dalë krenare nga “Qemal Stafa” teksa gjunjëzonte djemtë e teknikut spanjoll Rubio. U luajt dobët dhe kontraktimi ndjehej së pari në psikologji, e më pas u manifestua në lojën e secilit nga futbollistët. I gjithë materiali propagandistik i përgatitur për një fitore të mundshme të Teutës, u vendos në “magazinat” e inkurajimit të tifozerisë durrsake. Dhe tani me 3 mars, plot 22 ditë nga humbja me Tiranën, e ka radhën një tjetër sfidë delikate dhe e vështirë. Luhet në Vlorë ndaj një Flamurtari, që etja për fitore është pak të thuash se atë ditë do të ndodhë me të. Teuta veç përballimit të këtij kundërshtari, që beson me shumë se kurrë tek tri pikët e suksesit, i duhet të mposhtë edhe trysninë e një publiku që në të tilla raste bëhet më shumë se i zjarrtë. Përpara Likës janë për t’u zgjidhur disa dilema.
Teuta nuk do të luajë plotësisht me titullarët e saj të zakonshëm. Shaqir Stafa është në “karantinën” e penalizimeve, ndërsa Renato Hyshmeri dhe braziliani Fernando Da Silva vuajnë nga dëmtimet. Është një e katërta e ekipit që duhet zëvendësuar. Në anën e djathtë të mbrojtjes, mund të kalojë Akil Jakupi, i konsideruar si një futbollist universal në detyrat markuese. Ndërsa në anën e majtë, ishte menduar të luante braziliani Da Silva. Por në se problemet e dëmtimit do të vazhdojnë me të edhe në ditët në vijim, atëherë Lika sipas të gjitha gjasave mund t’i rikthehet aktivizimit të lushnjarit Andi Bakiasi. Karta e tretë që mund të luhet, është ajo e veteranit Bledar Mancaku. Autori i atij goli spektakolar, në ndeshjen e dytë të fazës së parë me Flamurtarin në Durrës, Hyshmeri, është i pamundur. Duket se Starova, vrojtuesi i ndeshjes së Flamurtarit me 23 shkurt me Laçin luajtur për kupën në “Selman Stërmasi”, do të konsultohet kokë më kokë me Likën, për të zbërthyer lojën e vlonjatëve. Loja në grup për Teutën është më shumë se kurrë e nevojshme.
Kundërshtari i tyre dihet mirë që kërkon tri pikë dhe përballë kësaj kërkohet një strategji inkurajuese dhe qëndrestare. Teuta nuk duhet të tutet, aq më pak të bjerë pre e trysnisë që pritet t’i ndodhë në mjedisin vlonjat të topkëmbës. Dy ndeshjet miqësore të zhvilluara me ekipet kosovare të Drenicës dhe Vllaznimit të Gjakovës, i kanë dhënë mundësinë trajnerit Lika të zgjedhë një mënyrë loje funksionale që t’i japë efektivitetin e duhur. Të mos harrohet fakti, që durrsakët kanë udhëhequr me meritë për javë të tëra dhe vazhdojnë të qëndrojnë në krye. Një e dhënë është shumë domethënëse dhe e vendos Teutën në një rast unikal. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, që durrsakët në transfertë të grumbullojnë 18 pikë dhe në fushën e tyre 14 pikë. Kjo jep shanse për të shpresuar për rezultat pozitiv edhe në transfertën vlonjate. Por ndërkohë vlen të nënvizohet një dukuri tjetër, që Flamurtari në fushën e tij është me pesë fitore dhe dy barazime duke mos e njohur humbjen.
Ekipi i Shkëlqim Muçës kërkon t’i afrohet Teutës, në realizimin e ëndrrës për titull. Por një gjë të tillë e kanë në plan edhe djemtë e detit, të cilët sigurisht mendohet të mos rreshtin përpjekjet për të mos u dorëzuar para vlonjatëve. Nga Vlora vijnë njoftime se janë paguar të gjitha shumat e prapambetura futbollistëve dhe është vënë një premio marramendëse vetëm për të mundur Teutën. Në gjykimin e vlonjatëve, Teuta me 3 mars bie nga “froni”, ndërsa durrsakëve u duhet që në fushën e lojës të vërtetojnë të kundërtën. Në këndvështrimin tonë, do t’i mëshonim një fakti favorizues për Teutën, pasi jo më pak të vështira kanë qenë edhe fitoret e arritura në transfertë ndaj Pogradecit, Kamzës, Tiranës, Tomorit, Apolonisë dhe Shkumbinit.
Parë kështu, sado e vështirë që duket ballafaqimi me përfaqësuesit e topkëmbës vlonjate, forcat dhe mundësitë e Teutës janë të mjaftueshme për ta vënë rezultatin e lojës në kontrollin e saj. A do ta ruajë Teuta vendin e parë, pas 3 marsit? Në versionin vlonjat jo, ndërsa në optikën e durrsakëve beteja mbetet e hapur, duke e lënë surprizën të ndodhë si një mundësi reale. Ruajtja e vendit të parë pas ndeshjes me Flamurtarin, do të thotë një hap i ndjeshëm drejt titullit. Le të shpresojmë të ndodhë vërtet kjo, që dëshirojnë dashamirësit, fansat, simpatizantët dhe tifozeria pasionante durrsake!