• Nëse në periudhën 1991-2005, PD-ja dhe në zgjedhjet e përgjithshme dhe në ato vendore dilte forcë e parë në Durrës, duke krijuar idenë e një bastioni, paskëtaj, si pa kuptuar, ajo po “hynte në ujë” si doku i dikurshëm kinez
  • Vjen një ditë që PD-ja është forcë e dytë (me 25 439 vota ose 25,79% të totalit, kur PS mori 27 642 vota ose 28,03% të numrit gjithsej) dhe nuk përjashtohet që në zgjedhjet e ardhshme të të marrë “medalje bronzi”, pas LSI-së (që mori 22 442 të votave 22,75%, ose 2 997 vota më pak se PD-ja)

31 tetor 2015 – Mediet qendrore janë marrë shumë me degën e PD-së së Durrësit. Jo thjesht për faktin se është e dyta për nga rëndësia në shkallë vendi, por edhe për atë që në qytetin bregdetar opozita pësoi humbje spektakolare më 21 qershor 2015. Me këtë rast lajmi politik provokon bujë, pasi humbi një kandidaturë e promovuar mediatikisht si askush tjetër, gazetat dhe televizionet u shokuan për vete.

SI DOKU KINEZ

Një tregues që pushteti i katërt tradicional ka humbur peshë. Dëshirat e analistëve janë thellësisht larg realitetit. Por, me sa duket askush nuk po e kupton, madje as selia qendrore blu nuk di t’i japë shpjegim dukurisë së Durrësit. Kjo mund të thuhet dhe për të zotët e shtëpisë, që nuk po ndërgjegjësohen për rënien e lirë që po pëson, sidomos pas vitit 2007, kur Vangjush Dako i panjohur goditi vetë kreun e degës së PD-së, Armand Teliti. Ky i fundit vinte me “dekoratat” e zgjedhjeve të përgjithshme të 2005-ës, kur PD-ja fitoi tetë me zero në sistemin mazhoritar.

Nëse në periudhën 1991-2005, PD-ja dhe në zgjedhjet e përgjithshme dhe në ato vendore dilte forcë e parë në Durrës, duke krijuar idenë e një bastioni, paskëtaj, si pa kuptuar, ajo po “hynte në ujë” si doku i dikurshëm kinez. Vjen një ditë që PD-ja është forcë e dytë (me 25 439 vota ose 25,79% të totalit, kur PS mori 27 642 vota ose 28,03% të numrit gjithsej) dhe nuk përjashtohet që në zgjedhjet e ardhshme të të marrë “medalje bronzi”, pas LSI-së (që mori 22 442 të votave 22,75%, ose 2 997 vota më pak se PD-ja). Është një rënie e pandalshme, nëse Tirana që dërgoi për Dumën si përforcim nënkryetarin Edmond Spaho, deputetët dhe strukturat vendore nuk do të vënë gishtin në plagë. Thjesht, nuk kanë pse ia vënë fajin vetëm Osman Stafës, që është një produkt i një kompromisi klanesh.

KONSTATIMI

Duma dhe “të rinjtë” e Bashës në Tiranë nuk kanë kuptuar dhe as do të kuptojnë kurrë misterin e rënies së opozitës në qytetin nr. 2 të Shqipërisë. As vetë Stafa që ka të drejtë kur thotë se “ndoshta përcaktimi i kandidatit në momentin e fundit na vonoi në procesin e përgatitjes së fushatës dhe programit të aktiviteteve paraelektorale. Disa struktura të bazës, por edhe elementë në qendër, u treguan pasivë, dhe në rrethana qejfmbetjesh apo lodhjesh nga vitet e angazhimit në politikë, nuk dhanë maksimumin e tyre në fushatë”. Kjo nuk mjafton. Stafa nuk di as të shpjegojë pse humbi PD-ja, për shembull, në ish-komunën e Rrashbullit, ku për 22 vjet kjo parti kishte kalanë më të pamposhtur të saj, edhe pse ish-kryetari veteran i komunës Hysen Gashi punoi shumë, pasi është në listën për këshilltar. Janë habitur dhe të majtët me Rrashbullin: Duma humbi me 10,5 pikë (ose me 973 vota mangët).

FRAKSIONET DHE SKIZMAT

Vërtet, kryetari Stafa ka kusuret e veta: thjesht pse nuk arriti dot të njohë strukturat, që hartoi lista e këshilltarëve pa pyetur njeri; që nuk ka horizont kulturor sikurse e shan një botues i Berisha-Bashës. Dhe mund të bëhet “kurban”. Por kjo nuk zgjidh problemin. Aktualisht në PD nuk ka ndonjë figurë të spikatur, përbashkuese. Nga viti 1991 kur PD-në e mbante në këmbë idealizmi, çfarë ka ndodhur më vonë me fraksionet dhe skizmat. Flitet për punë të mirë që bënin ish-kryetarët e degës Kapidani dhe Xhaferraj. Flitet se “disheza” filloi me Telitin dhe Carën, duke u “kurorëzuar” me Stafën. Ky i fundit duhet të shijë lëmin?!

Por as kjo nuk mjafton. Brenda PD-së në këta 25 vjet ka pasur hemorragji në anëtarësi: me mocionistët e PAD-it, me PD-në e djathtë të Baleta-Kalakullës, me Partinë e re Demokratike të Pollo-Xhaferrajt, deri me FRD-në e Topi-Oketës. Jo vetëm kaq. Klanet e shumta brenda PD-së, që ndikonin në emërime drejtorësh dhe punësime, kanë shkaktuar pakënaqësi në elektoratin e djathtë.

SI E PËSUAN DY ISH-KRYETARË

Ndodhi që më keq se Stafa ta pësonin ish-kryetarët e PD-së përballë Dakos: Teliti dhe Xhaferraj. Ky i fundit, me punën minuese kundër PD-së kur ishte me partinë e Pollos ndikoi që t’i rikthehej në bumerang veprimtaria përçarëse. E braktisi partia.

Një faktor me rëndësi që ndikon në metamorfozën idealizëm / pragmatizëm, ka të bëjë edhe ish-aleanca me LSI-në, që po ia rrëmben anëtarët PD-së me moslëvizjet nga administrata apo me punësimet…

EPOLOG

E këto gjëra mund të mos i kuptojë dot Stafa, që ndoshta e meriton të bëhet “kokë turku”. Po kush mund ta ngrejë PD-në?   

/th. m. portali DurrësLajm/