Deputeti i Partisë Demokratike Bledion Nallbati zbuloi në “Ditari” detaje nga aksioni opozitar dhe strategjia që do të ndiqet në seancën maratonë për buxhetin 2024, që do të zhvillohet nesër në Parlament.

I pyetur nëse greva është një opsion për të ndaluar socialistët që të kalojnë buxhetin në Kuvend, Nallbati zbuloi se kjo ka qenë pjesë e diskutimeve në tavolinë të deputetëve demokratë.

Ai shprehu gatishmërinë personale për të përshkallëzuar aksionin me grevë, por theksoi se pret një vendim të grupit të PD.

“Do të ketë një aksion që nuk do të ndalojë dhe do të përshkallëzohet deri sa mazhoranca ti njohë opozitës të drejtat legjitime që i jep Kushtetuta. Unë jam i gatshëm jo vetëm për atë por për të gjitha opsionet që grupi do të marrë vendim për të vazhduar aksioni opozitar. Është një opsion që është diskutuar, por do të jetë nesër apo në një moment tjetër, apo nuk do të jetë e nevojshme, pasi unë shpresoj që mazhoranca të reflektojë dhe të mos jetë e nevojshme për të arritur në këtë pikë, do të ishte mirë. Por mbetet opsion pa diskutim”.