Si sot para 4 vitesh, më 26 qershor 2013, Sali Berisha dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit përballë Ramës. Sot ndodhemi një ditë pas datës së zgjedhjeve dhe nga rezultatet paraprake, kur janë numëruar diku te gjysma e kutive, PD rezulton me 40 deputetë, ndërsa PS 76.

Rezultat shumë i rëndë ky për PD-në, që jo vetëm për faktin që humb kundrejt PS-së, por edhe për uljen drastike të numrit të mandateve.

Në vitin 2013 PD mori 50 mandate në rang vendi, ndërsa deri në votat e numëruara tani, PD rezulton me rreth 40 deputetë, pra 10 më pak. Nga ana tjetër, Basha vendosi t’i fuste aleatët e tij në listat e veta, duke i hequr kështu mundësinë PD-së për shtim votash. Në 2013-n si koalicion APMI mori 57 deputetë në total.

Rezultate këto që bien si përgjegjësi mbi kreun e PD-së Basha. Basha jo vetëm që nuk e ka ruajtur rezultatin e vitit 2013, por e ka ulur atë në një nivel historik. Po ashtu, edhe shumë figura të PD-së kanë dalë në reagime të forta për këtë humbje, madje kishte edhe zëra për dorëheqje urgjente të Bashës.

I ndodhur para një tabloje të tillë, kreu i PD-së është “ngujuar” qysh nga ora 8 e ditës së sotme duke mos dhënë asnjë prononcim.

Pyetja që shtrohet tani është se a do e pranojë humbjen e thellë të PD-së Basha dhe të japë dorëheqjen e tij ashtu si Berisha 4 vite më parë. / Lapsi.al