Prej më shumë se një orë në selinë e PS-së vazhdon takimi i kreut të kësaj partie, njëherësh dhe kryeministër i vendit, Edi Rama, me krerët e qarqeve për të përcaktuar kandidatët e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Të pranishëm janë dhe kreu i grupit parlamentar Taulant Balla dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi.
I pari në takim ka hyrë drejtuesi politik i qarkut të Durrësit Vangjush Dako, i cili këtë herë nuk do të rikandidojë për bashkinë e këtij qyteti. Emri më i përfolur është Valbona Sako, drejtoresha e Tatimeve në Durrës. Pasi u lakuan disa emra deputetesh të qarkut të Durrësit, këshilltare bashkiake dhe zv/ministrja e rendit Rovena Voda, emri i Sakos nisi të qarkullojë vetëm 24 orët e fundit.
Ashtu siç pati theksuar në një shkrim pak ditë më parë DurrësLajm, duket se Rama do t’i mbajë deri në fund mbi gjemba socialistët e qarkut të Durrësit. Vlen të theksohet këtu se përveç bashkisë së Durrësit, Rama nuk ka zbardhur emrin e kandidatit as për bashkitë e Shijakut dhe Krujës.
Dy ditë më parë, PS mblodhi kryesinë e saj, por pas takimit kryetari Rama deklaroi se ende nuk kishte dakordësi të plotë për emrat duke lënë ditën e shtunë si afati i fundit kur do të publikoheshin emrat e kandidatëve për 61 bashki.





