A do të mësyjnë emigrantët nga Shqipëria në drejtim të Italisë?
Një zyrtar doganor nga pika e kalimit kufitar me Greqinë thotë se autoritetet shqiptare janë në gatishmëri. Mariel Temo punon prej 14 vitesh në doganë.
Aty vijnë kamionë nga Stambolli, e më pas në Selanik duke kaluar në drejtim të Shqipërisë për në Tiranë.
Kamionë të tillë kanë mallra të ndryshëm, teksa sjellin mallra të prodhuara në Turqi, apo fruta të thata nga Lindja e Mesme.
Teksa Maqedonia, Serbia dhe shtetet e tjera në varg kanë mbyllur kufijtë e tyre, Shqipëria mund të jetë destinacioni i ri i emigrantëve.
Gazeta italiane “La Stampa”, shkruan se policia shqiptare ka konfiskuar së fundi 12 gomone, të gatshme për t’u përdorur.
Sipas artikullit, me sa duket trafikantët e drogës janë duke u përgatitur për biznesin e ri. Kjo do ta kthente historinë prapa midis dy vendeve. Megjithatë, vijon artikulli, askush nuk mund ta thotë me saktësi se çfarë do të ndodhë.
Gazeta citon edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm Bushati, sipas të cilit, “Shqipëria nuk mund t’i strehojë emigrantët, por nuk dëshiron të vendosë mure”. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kryeministri Edi Rama, sipas të cilit “vendi nuk ka fuqinë ekonomike për të mbështetur veten në emergjenca”.“Por ne do të bëjmë pjesën tonë”, shton ai.
Ajo që është më e rëndësishme është se në pranverë mund të ketë një eksod të ri nëpërmjet detit Adriatik.
Kjo vjen sipas medias italiane për shkak të një procesi domino që po ndodh në shumë vende të Evropës. Këtë e ilustron me faktin: Austria ka pezulluar marrëveshjen e Shengenit në mënyrë të njëanshme, Hungaria ka mbyllur kufijtë për shkak të ksenofobisë, Sllovenia ka ndërtuar barriera në kufi duke i dërguar emigrantët me trena për në Kroaci.
Të njëjtin vendim ka marrë edhe Serbia, ndërkohë që së fundi Maqedonia ka bllokuar kufirin e saj me Greqinë.
A do të ketë gardhe të reja apo tela me gjemba? Kjo në fakt po ndodh në fshatin maqedonas të Gjevgjelisë dhe atë grek të Idomenit. Situata atje është rënduar tejet shumë.
Marrë nga Ora News





