Nisja e sezonit turistik është gjithnjë një datë e rëndësishme për ekonominë e Durrësit, pasi qyteti me vijën bregdetare më të gjatë në Shqipëri thith të ardhura të konsiderueshme nga mijëra turistë që e frekuentojnë atë gjatë sezonit veror dhe jo vetëm. Në të njëjtën kohë, gjatë sezonit turistik hapen me mijëra vende sezonale pune duke ulur ndjeshëm nivelin e papunësisë në qytet.
Por si asnjëherë më parë, pandemia Covid-19 ka lënë pezull gjithçka. Madje as tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit nuk ishte një goditje kaq e rëndë për sektorin e turizmit dhe shërbimeve sa ç’po është koronavirusi këto 6 javë izolimi në qytetin bregdetar. Pasiguria shtohet edhe më shumë përsa kohë nuk ka një datë konkrete për hapjen e sezonit, pasi gjithçka varet nga përhapja e koronavirusit dhe masat lehtësuese që do të ndërrmarrin edhe vendet evropiane.
Nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri thotë se këtë vit sezoni turistik ishte menduar të hapej me një festë të veçantë, por gjithçka u anulua prej Covid-19. Aktualisht, pushteti vendor nuk ka asnjë datë se kur do të startojë sezoni turistik, pasi janë në pritje të planit të masave që do të hartohet nga Ministria e Turizmit, ndërkohë që në maj do të nisë puna nga të gjitha strukturat përkatëse për të bërë të gjitha ndërhyrjet e nevojshme në terren për pastrimin e plazhit, dezinfektimin e rërës etj.
“Në maj ne fillojmë me kapacitet të plotë ndërhyrjet përgjatë vijës bregdetare me pastrimin dhe dezinfektimin e plazheve. Jemi në pritje të planit të masave nga Ministria e Turizmit dhe më pas do të ngrejmë Task Forcën që do të monitorojë zbatimin në terren të këtij plani. Aktualisht ne kemi përfunduar me parcelizimin e vijës bregdetare dhe hartimin e hartave duke ruajtur raportin 80 me 20, ku 80% janë plazhe private dhe 20% u rezervohet plazheve publike”,– tha Tahiri.
Megjithëse kemi hyrë në javën e 6 të pandemisë, nuk ka ende një datë të saktë për hapjen e sezonit turistik.
“Për formalizimin e një date të saktë duket të presim edhe pak, derisa të kemi planin e detajuar të masave nga ministria në të cilin do të jenë të specifikuar edhe detajet sesi do të zhvillohet sezoni turistik përgjatë gjithë vijës bregdetare”,- deklaroi nënkryetari i bashkisë.
Por përveç koronavirusit, në Durrës janë ende shumë të pranishme pasojat që la pas tërmeti i 26 nëntorit 2019. Por a mund ta dëmtojnë ato sezonin dhe ardhjen e pushuesve?
“Në përgjithësi, pronarët e hoteleve kanë qenë ata që më së shumti kanë aplikuar për leje pranë bashkisë për të riparuar dëmet. Ata kanë qenë gjithashtu të parët që janë pajisur me leje nga bashkia. Aktualisht një pjesë e madhe e tyre i kanë përfunduar punimet dhe janë në fazën e mobilimit. Pjesa më e madhe e hoteleve të dëmtuara i kanë marrë masat dhe e kanë kaluar fazën e rikonstruksionit. Përsa i përket pallateve të dëmtuara me DS4 dhe DS5 pritet të merret një vendim në bazë të akt-ekspertimeve që ka nisur të na sjellë Instituti i Ndërtimit”,– thotë nënkryetari i bashkisë.
Të ardhurat nga sektori i turizmit dhe shërbimeve si lokale apo restorante përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të bashkisë. Përsa kohë nuk ka një datë për nisjen e sezonit dhe hapjen e bareve, lokaleve apo restoranteve është ende herët që bashkia e Durrësit të ketë një bilanc të qartë të humbjeve në të ardhurat vjetore. Sipas nënkryetarit të bashkisë, vetëm pas sezonit turistik do të mund të përllogaritet saktësisht se në ç’masë do të ndikojnë pasojat e pandemisë në të ardhurat e pushtetit vendor nga sektori i turizmit dhe shërbimeve.
M.B.





