Këngëtarja Filloreta Raçi, nuk u largua ashtu si banorët e tjerë. Ishte vetë ajo që mori vendimin për ta përfunduar garën, për shkak të gjendjes së saj emocionale.
Fifi konsiderohej si një nga konkurrentet më të forta në shtëpi, dhe pas daljes së saj ajo ka qenë shumë aktive në rrjetet e saj sociale, ku ka folur edhe në lidhje me Big Brother. Në një intervistë virtuale me ndjekësit e saj, Fifi ka treguar nëse do të merrte përsëri pjesë në BBV dhe çfarë do të bënte ndryshe.
“A do të kishe bërë diçka ndryshe në BBV nëse do të kishe pasur mundësinë të kthehesh?”, ishte pyetja që njëri nga ndjekësit i drejtoi këngëtares.
Fifi i dedikoi shumë kohë përgjigjes së kësaj pyetje, pasi bëri një shkrim të gjatë ku nuk munguan as thumbat për disa nga banorët, emrat e të cilëve ajo nuk preferoi t’i ndante me ndjekësit. Gjithashtu ajo ka shtuar se komentet negative mbi konkurrentët e bëjnë të ndihet shumë keq, dhe iu ka bërë thirrje ndjëkësve të “kenë kujdes me helmin që lëshojnë”.
“Mbase nuk do t’ju kisha dhënë vëmendje disave dhe do të merresha me veten më shumë…por edhe nëse përgatitesh në çdo aspekt, si emocionalisht si strategjikisht me tipin që kam unë besoj se prapë njësoj do të kisha bërë çdo gjë! Pastaj të harrojmë, kujdes ju lutem me helmin që lëshoni mbi njerëzit. Nuk është normale të shpërndajmë kaq shumë negativitet..dhe unë që jam jashtë dhe e përfshirë akoma në lojë ndihem shumë keq kur lexoj disa nga komentet tuaja për çdo njeri te ajo shtëpi.“, ka shkruar ish-banorja.