Kandidatja për kryetare në PD Edith Harxhi ka votuar në degën e njësisë 5 në Tiranë për kreun e ri të PD-së, ku u shpreh e bindur se do të jetë fituese e garës.
Sipas saj, janë penguar të votojnë themelues të PD-së, me pretendimin se nuk kanë qenë aktivë në fushatë.
“PD është një aset, është një pasuri kombëtare, sot është dita e demokratëve, uroj shumë që të ketë një pjesëmarrje masive, pasi ne sot votojmë reformimin e PD-së. Absolutisht që mendoj se në radhë të parë do të fitojnë demokratët, jam e sigurt që vota e tyre do të jetë për ndryshimin.
Unë dua të bëj një thirrje për zotin Basha, demokratët duhet të jenë në lista, janë penguar themelues të PD-së që të votojnë, me pretendimin se nuk kanë qenë aktiv në fushatë. Kjo nuk është normale, ndryshimi ynë do të sjellë votën e hapur për të gjithë shqiptarët”, ka deklaruar Harxhi.
E pyetur nëse do të largohet në rast humbje, Harxhi tha se beteja për hapjen e PD-së që nisi sot nuk do të ndalet për asnjë çast.
“Beteja ime fillon sot. Absolutisht që unë do të vazhdoj aktive edhe pas 30 vitesh, ju thashë që beteja ime fillon sot”.





